Spiunonte për Rusinë, kapet dhe del në gjyq një ushtar gjerman - NACIONALE

Spiunonte për Rusinë, kapet dhe del në gjyq një ushtar gjerman

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

I akuzuar për ofrimin e informacioneve të ndjeshme ushtarake për Rusinë, një rezervist i ushtrisë gjermane ka dalë para gjyqit ditën e enjte në Duesseldorf.

Sipas Associated Press, prokurorët gjermanë pretendojnë se nënkoloneli 65-vjeçar, i cili u identifikua vetëm si Ralph G. në përputhje me rregullat gjermane të privatësisë, ishte aktiv për agjencinë e inteligjencës ushtarake të Rusisë GRU që nga viti 2014.

Ndërkohë, agjencia gjermane e lajmeve dpa raportoi se burri, i cili punon për një kompani amerikane, i ka dhënë GRU-së informacione nga burime publike dhe jo publike, duke përfshirë detajet e kontaktit privat për anëtarët e rangut të lartë të ushtrisë gjermane.

Sipas prokurorit, ai gjithashtu i ka dhënë GRU-së, “një përmbledhje të politikave të sigurisë dhe mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj perëndimorë".

Prokurorët federalë akuzuan të pandehurin se e dinte se kishte të bënte me spiunët rusë dhe se ishte i motivuar t'i ndihmonte ata - nga simpatia e tij për Rusinë.

Dyshimet për aktivitetet e burrit, nisën nga agjencia e kundërzbulimit ushtarak të Gjermanisë që në vitin 2018, megjithatë shtëpia e tij u kontrollua vetëm dy vjet më vonë.

Dpa citoi një zëdhënëse të gjykatës për gjykatën rajonale të Duseldorfit duke thënë se i pandehuri i kishte pranuar pjesërisht akuzat kundër tij para hetuesve dhe përpara gjyqit. Ndërsa, avokati i të pandehurit tha se klienti i tij gjithashtu do t'i përgjigjet publikisht akuzave gjatë gjykimit.

Kohët e fundit, Gjermania ka identifikuar edhe disa spiunë të dyshuar rusë në territorin e saj.

Lajme të ngjashme