Spitalet në Qytetin Gaza raportojnë për 39 të vrarë gjatë natës dhe në mëngjes - NACIONALE

Spitalet në Qytetin Gaza raportojnë për 39 të vrarë gjatë natës dhe në mëngjes

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Spitalet në Qytetin Gaza raportojnë se nga mesnata deri në orën 10 e 30 minuta të së martës, 39 njerëz kanë vdekur si rezultat i sulmeve izraelite në qytet.

Numri më i madh i të vdekurve, 23, u raportua nga zyrtarët në spitalin “Shifa”, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Ushtria izraelite raportohet se e ka nisur operacionin tokësor të paralajmëruar për një kohë të gjatë në Qytetin Gaza. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe kryeministri Benjamin Netanyahu.

Ndërkohë, Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të Zhdukurve në Izrael ka shpallur “gjendje të jashtëzakonshme” pas fillimit të operacionit, duke njoftuar se kanë vendosur një kamp tendash afër rezidencës së kryeministrit Netanyahu.

Ky grup tha se familjet e pengjeve janë “të tmerruara për fatin e të dashurve të tyre”, nga frika se operacioni i ri izraelit mund t’i rrezikojë ata që po mbahen ende në robëri brenda enklavës palestineze.

Ndërkohë, Forca Ajrore e Izraelit ka goditur mbi 850 caqe dhe qindra operativë në Qytetin Gaza gjatë javës së fundit, tha ushtria izraelite, para se të fillonte ofensiva tokësore në atë zonë mbrëmë.

Lajme të ngjashme