Spanja i jep mësim Evropës, planifikon që ta lehtësojë vendosjen e imigrantëve - NACIONALE

Spanja i jep mësim Evropës, planifikon që ta lehtësojë vendosjen e imigrantëve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Spanja planifikon që ta lehtësojë vendosjen e të ardhurve për të banuar në këtë shtet, ka thënë kryeministri Pedro Sanchez, duke e promovuar imigrimin si mënyrë efikase për ta mbrojtur mirëqenien, në kontrast të dukshëm me qëndrimin në një pjesë tjetër të madhe të Evropës.

“Spanja duhet të zgjedhë mes të qenët vend i hapur dhe i begatë ose vend i mbyllur e i varfër. Është kaq e thjeshtë” – tha Sanchezi të mërkurën para deputetëve spanjollë, raporton gazeta “The Guardian”.

Sipas tij, imigrimi nuk është vetëm çështje e humanizmit, por mënyra e vetme reale e rritjes së ekonomisë dhe ruajtjes së gjendjes së mirëqenies në një shtet ku shkalla e lindjeve ka qenë në mesin e më të ulëtave në Bashkimin Evropian.

“Gjatë tërë historisë, imigrimi ka qenë njëri nga nxitësit më të mëdhenj të zhvillimit të kombeve, ndërsa urrejtja dhe ksenofobia kanë qenë – dhe vazhdojnë të jenë – shkatërruesi më i madh i kombeve. Çelësi është te menaxhimi i mirë i tij” – shtoi kryeministri spanjoll.

Komentet e tij erdhën në kohën kur disa shtete evropiane i janë kundërpërgjigjur rritjes së përkrahjes për të djathtën ekstreme me shtypje të imigrimit. Muajin e kaluar, Gjermania rivendosi kontrolle në kufijtë e saj tokësorë, duke thënë se kjo masë është e nevojshme për “t’u mbrojtur kundër rreziqeve akute të paraqitura nga terrorizmi islamik dhe krimi serioz”, ndërsa kryeministri francez, Michel Barnier, tha rishtazi se nivelet e imigrimit janë “shpesh të padurueshme”.

Suedia dhe Finlanda kanë njoftuar plane për vendosjen e masave të reja kundër imigrantëve, ndërsa Italia është akuzuar se i ka mbyllur sytë për të drejtat e njeriut, përderisa po bën pakte me udhëheqës në Libi e Tunizi për ta zvogëluar numrin e të ardhurve.

Të mërkurën, Sanchezi tha se Spanja do të ndjekë një rrugë tjetër, duke ndarë burime për integrim më të mirë të imigrantëve në tregun e punës.

“Gati gjysma e komunave tona janë në rrezik nga shpopullimi. Ne kemi të moshuar që kanë nevojë për një kujdestar dhe s’mund të gjejnë një të tillë. Kompani që po kërkojnë programerë, teknikë, muratorë dhe s’mund t’i gjejnë ata. Shkolla rurale që kanë nevojë për fëmijë që të mos i mbyllin dyert” – tha më tej kryeministri spanjoll.

Në maj, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik – OECD – e përmendi Spanjën, ekonomia me rritjen më të shpejtë në BE, si shembull se si shkalla e lartë e imigrimit po e ndihmonte fuqizimin e rritjes ekonomike duke i plotësuar mungesat në tregun e punës./Nacionale

Lajme të ngjashme