Sot samiti urgjent i shteteve arabe për Gazën, në Arabi shkon edhe presidenti i Iranit
Udhëheqësit e vendeve arabe dhe presidenti i Iranit, Ebraihim Raisi, do të mblidhen të shtunën në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, për një samit ku pritet të theksohen kërkesat që lufta e Izraelit në Gaza të përfundojë para se në dhunë të përfshihen shtete të tjera, raporton agjencia AFP.
Liga Araba dhe Organizata Për Bashkëpunim Islamik fillimisht kishin planifikuar që të organizonin samite ndarazi, por Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite njoftoi të shtunën herët se të dyja takimet do të kombinohen, përcjell gazeta “The Guardian”.
Kjo nismë e nënvizon rëndësinë e arritjes “së një pozicioni të unifikuar kolektiv që e shpreh vullnetin e përbashkët arab e islamik në lidhje me zhvillimet e rrezikshme dhe të pashembullta që janë parë në Gaza dhe në territoret palestineze”, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve në Arabi Saudite.
Lidhja Arabe synon që të tregojë se “si arabët do të lëvizin përpara në skenën ndërkombëtare për ta ndalur agresionin, për ta mbështetur Palestinën dhe popullin e saj, për ta dënuar pushtimin izraelit dhe për ta mbajtur atë përgjegjës për krimet e tij”, tha këtë javë asistenti i sekretarit të Përgjithshëm të Ligës Arabe, Hossam Zaki.
Megjithatë, grupi militant palestinez, Xhihadi Islamik, tha të premten se nuk pret asgjë nga takimi në Riad dhe i kritikoi udhëheqësit e vendeve arabe për vonesën e reagimit.
Nënsekretari i Përgjithshëm i këtij grupi, Mohammad al-Hindi, në një konferecë për gazetër në Bejrut të Libanit tha: “Ne nuk do t’i vëmë shpresat tona në takime të tilla, sepse i kemi parë rezultatet e tyre për shumë vjet. Fakti që kjo konferencë do të mbahet pas 35 ditëve [të luftës] është një tregues i rezultateve të saj.”
