Sondazhi i ri: Blloku opozitar do ta mposhtte Netanyahun, nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot - NACIONALE

Sondazhi i ri: Blloku opozitar do ta mposhtte Netanyahun, nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Lista e kombinuar zgjedhor e ish-kryeministrit izraelit, Naftali Bennett, dhe e udhëheqësit të opozitës, Yair Lapid, e quajtur “Bashkë”, do të fitonte gjithsej 26 ulëse në Kuvendin e Izraelit, nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, duke dalë para partisë Likud të kryeministrit aktual, Benjamin Netanyahu, sipas një sondazhi të ri nga televizioni “Channel 12”.

Në sondazhin e parë të këtij mediumi që nga shpallja e listës së përbashkët opozitare të dielën, blloku djathtist i Netanyahut do të siguronte vetëm 50 nga 120 ulëset e Kuvendit, ndërsa partitë opozitare zioniste do të fitonin 60 e grupet arabe 10, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Numri prej 26 ulësesh për platformën e bashkuar opozitare është për një më i vogël se shifra që do ta siguronin partitë ndarazi sipas një sondazhi të mëparshëm, ku Bennetti do të merrte 21 ulëse, e partia Yesh Atid 7.

Pas grupit “Bashkë”, e dyta në sondazhin e ri doli partia e Netanyahut me 25 ulëse, partia Yashar me 15 doli e treta e pas saj u radhitën Demokratët me 10 sosh.

Sipas sondazhit, nëse Eisenkoti u bashkohet Bennettit dhe Lapidit në një listë të vetme, grupi i përbashkët opozitar do të siguronte 41 ulëse, por baraspesha e përgjithshme mes blloqeve nuk do të prekej. Deri më tani, Eisenkoti ka refuzuar që t’i bashkohet bllokut, edhe pse thuhej se kishte propozuar një gjë të tillë në janar.

Sondazhi u realizua nga kompania “Mano Geva” me 501 pjesëmarrës përmes internetit dhe telefonit. Sondazhi ka margjinë gabimi prej 4,4 për qind.

Lajme të ngjashme