Sondazh: Gati gjysma e votuesve demokratë nuk donin që Bideni të kandidonte përsëri - NACIONALE

Sondazh: Gati gjysma e votuesve demokratë nuk donin që Bideni të kandidonte përsëri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gati gjysma e demokratëve të ShBA-së thonë se presidenti Joe Biden nuk duhet të garojë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm dhe se ai është shumë i moshuar për këtë garë, sipas një sondazhi të agjencisë “Reuters”.

Anketa treditore, e kompletuar të hënën, një ditë para se Bideni ta shpallte kandidaturën, tregoi se publiku amerikan nuk është i ngazëllyer nga mundësia e përsëritjes së ballafaqimit Biden – Trump. Rreth dy të tretat e pjesëmarrësve në anketë nuk deshën që ndonjëri prej këtyre dy figurave të kandidojë në zgjedhje.

Brenda partive, 44 për qind e votuesve të regjistruar demokratë që morën pjesë në anketë thanë se Bideni nuk duhet të kërkojë mandat të ri, ndërsa 34 për qind e votuesve republikanë në anketë thanë se Trumpi nuk duhet të garojë përsëri, raporton agjencia “Reuters”.

Që nga ardhja në pushtet në janarin e vitit 2021, Bideni është ballafaquar me inflacionin e lartë dhe nivelin e ulët të kënaqshmërisë së amerikanëve. Vetëm 41 për qind e pjesëmarrësve në anketë – përfshirë 74 për qind të demokratëve dhe 10 për qind të republikanëve – e miratuan punën e tij si president.

Bideni është presidenti më i moshuar amerikan që ka qëndruar ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë dhe do të ishte 86 vjeç në fundin e mandatit të dytë, nëse fiton. 61 për qind e demokratëve të regjistruar në anketë thanë se ai është shumë i moshuar për të punuar në qeveri.

Në anën tjetër, vetëm 35 për qind e republikanëve të regjistruar në sondazh thanë se Trumpi është shumë i moshuar për këtë detyrë. Trumpi është rreth katër vjet më i ri se Bideni.

Lajme të ngjashme