Bideni e shpall kandidaturën për mandatin e ri: Besoj se ky është momenti ynë - NACIONALE

Bideni e shpall kandidaturën për mandatin e ri: Besoj se ky është momenti ynë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të martën e shpalli kandidaturën e tij për mandatin e dytë si president i vendit, duke u kërkuar votuesve që t’i japin më shumë kohë për ta kryer punën që e filloi në mandatin e parë dhe t’i lënë anash shqetësimet e tyre për t’ia zgjatur kohën në pushtet edhe për katër vjet.

Bideni, i cili do të ishte 86 vjeç në fundin e mandatit të dytë, po vë bast që arritjet e tij legjislative në mandatin e parë dhe përvoja mbi 50-vjeçare në institucione do të peshojnë më rëndë se shqetësimet për moshën e tij, raporton agjencia “Associated Press”.

"Secila gjeneratë ka një moment, kur është dashur të ngrihet për demokracinë. Të ngrihet për liritë e saj themelore. Unë besoj se ky është momenti ynë. Për këtë arsye do të garoj për t’u rizgjedhur si president i Shteteve të Bashkuara. Bashkohuni me ne. Le ta kryejmë punën"- shkroi ai në "Twitter", ku publikoi edhe një video 3-minutëshe, ku paraqiten disa nga sukseset e mandatit të parë, por edhe pamjet e trazirave të vitit 2021, kur përkrahësit e ish-presidentit Donald Trump ishin munduar ta zhbënin rezultatin e zgjedhjeve.

Ai ballafaqohet me një rrugë të lehtë për ta fituar përkrahjen e partisë, pasi nuk ka rivalë seriozë në Partinë Demokratike. Megjithatë, ai prapëseprapë do të përballet me luftë të ashpër për ta mbajtur pushtetin në vendin e përçarë ashpër.

Njoftimi për kandidaturën e re do të bëhet me rastin e katërvjetorit të ditës së njoftimit të garës për president më 2019, kur Bideni kishte premtuar se do ta shëronte “shpirtin e kombit” në periudhën me trazira të Donald Trumpit – qëllim që ka mbetur i vështirë për t’u arritur.

Përderisa çështja e garës për mandat të dytë ka qenë e njohur për shumicën e presidentëve modernë të ShBA-së, nuk ka qenë gjithnjë kështu për Bidenin. Një numër i konsiderueshëm i votuesve të Partisë Demokratike kanë sinjalizuar se ata do të parapëlqenin që presidenti të mos garonte përsëri, pjesërisht për shkak të moshës – shqetësime që vetë Bideni i ka quajtur “tërësisht legjitime”.

Prapëseprapë, pak gjëra i kanë bashkuar votuesit e Partisë Demokratike si mundësia që Trumpi të kthehet në pushtet dhe pozicioni politik i Bidenit brenda partisë, i stabilizuar pas performancës më të mirë se që pritej në zgjedhjet e mesit të mandatit.

“Le ta kryejmë punën”- tha disa herë Bideni gjatë një fjalimi në shkurt, duke i radhitur sukseset, nga miratimi i ndalimit të armëve sulmuese e ulja e kostos së ilaçeve. Ai mund ta përmendë edhe punën për ndërtimin e aleancave, përfshirë udhëheqjen e një koalicioni global për ta përkrahur Ukrainën kundër pushtimit rus dhe kthimin e ShBA-së në Marrëveshjen e Parisit për Klimën.

Megjithatë, përkrahja e publikut amerikan për Ukrainën ka rënë muajve të fundit dhe disa votues e vënë në pikëpyetje dhurimin e miliarda dollarëve për ndihma ushtarake e ekonomike për Kievin.

Bideni ballafaqohet edhe me kritika për tërheqjen kaotike nga Afganistani më 2021 si dhe për politikat ekonomike e të imigracionit.

Lajme të ngjashme