Somalia bën pakt të mbrojtjes me Turqinë për t’i sprapsur synimet e Etiopisë për dalje në det
Somalia njoftoi të mërkurën një marrëveshje të mbrojtjes me Turqinë, në të cilën përfshihet përkrahja për asetet detare të shtetit afrikan dhe që duket se është hartuar me qëllim të sprapsjes së përpjekjeve të Etiopisë për të siguruar dalje në det përmes rajonit separatist, Somaliland.
Etiopia nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me Somalilandin më 1 janar. Ky dokument ka shkaktuar rrapëllimë në Somali, shtet që ka thënë se është i përgatitur për të hyrë në luftë për këtë territor, sepse e cilëson si pjesë të veten. Somalilandi thotë se Etiopia është pajtuar që ta njohë pavarësinë e tij në këmbim të një porti detar, raporton agjencia “Reuters”.
Kryeministri i Somalisë, Hamza Abdi Barre, e përshkroi marrëveshjen për mbrojtje e ekonomi me Turqinë si “ditë historike për vendin”, pasi Këshilli i Ministrave e miratoi paktin.
“Somalia do të ketë një aleat të vërtetë, një mik dhe një vëlla në skenën ndërkombëtare” – tha Barre.
Hollësitë e marrëveshjes nuk janë bërë publike, por Somalia e sheh këtë pak si akt agresioni, edhe pse Somalilandi për tri dekada ka gëzuar de fakto pavarësi.
Presidenti i Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud, u tha gazetarëve të shtunën se oficerë të lartë të ushtrisë së Etiopisë ishin në Somaliland “duke e përgatitur terrenin” për aneksimin e këtij territori.
Etiopia nuk i ka adresuar këto akuza, por kryeministri i saj, Abiy Ahmed, e ka minimizuar frikën për konflikt, duke thënë para deputetëve më herët këtë muaj se ai “nuk ka për synim” që të hyjë në luftë me Somalinë.
Me popullsi prej më shumë se 120 milionë banorësh, Etiopia është shteti me popullsinë më të madhe në botë pa dalje në det.
Sipas marrëveshjes së njoftuar të mërkurën, Turqia do t’u ofrojë trajnime e pajisje forcave detare somaleze në mënyrë që ato të mund t’i ruajnë më mirë ujërat territoriale nga rreziqet si terrorizmi, piratëria dhe “ndërhyrja e jashtme”.
Marrëveshja, e nënshkruar së pari nga ministrat e mbrojtjes të të dyja vendeve më 8 shkurt, do të jetë në fuqi për një dekadë, sipas autoriteteve somaleze.
“Për Somalinë, kjo ofron përkrahje jetike për nismat për siguri dhe zhvillim, ndërsa për Turqinë, kjo përfaqëson një mundësi për ta zgjeruar ndikimin e saj dhe për ta thelluar angazhimin në Afrikë” – tha Mohamed Gaas, analist që e udhëheq Institutin për Hulumtime të Paqes “Raad” në Mogadishu, kryeqytet i Somalisë./Nacionale/Nasuf Abdyli