Sllovakia u bashkohet Polonisë e Hungarisë, ndalon importet e drithit e produkteve të tjera nga Ukraina - NACIONALE

Sllovakia u bashkohet Polonisë e Hungarisë, ndalon importet e drithit e produkteve të tjera nga Ukraina

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vendimit të Polonisë e Hungarisë për të ndaluar importet e grurit dhe produkteve të tjera nga Ukraina, i është bashkuar edhe Sllovakia.

Në një përpjekje për të mbrojtur sektorin vendas të bujqësisë dhe fermerët, vendi ka vendosur të ndalojë në mënyrë të njëanshme importet. Megjithatë, masat e marra nga këto tre shtete janë kritikuar shumë, duke u parë si të papranueshme nga Kievi dhe Komisioni Evropian.

“BE-ja do të presë që shtetet e Evropës Qendrore të dalin me një shpjegim,”- ka thënë një zyrtar i lartë i BE-së, sipas The Guardian.

E ndërsa është bërë e ditur se edhe Bullgaria është duke shqyrtuar një ndalim të ngjashëm, zyrtari i BE-së ka thënë se çmimet e ulëta globale dhe kërkesa nënkuptonin se sasi të mëdha të grurit ukrainas në vend që të shiteshin po qëndronin në bllok,

Kujtojmë se pas pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar, disa porte të Detit të Zi u bllokuan dhe gruri ukrainas – i cili është dukshëm më i lirë se ai i prodhuar në BE – përfundoi duke qëndruar në Evropën Qendrore kryesisht për shkak të pengesave logjistike.

Lidhur me vendimet e fundit ka pasur reagim edhe nga Ukraina, me ministrin e bujqësisë Mykola Solsky, i cili ka kërkuar që të paktën të lejohet kalimi i drithërave ukrainase tranzi përmes Polonisë.

“Hapi i parë… duhet të jetë hapja e tranzitit, sepse është mjaft e rëndësishme dhe është gjëja që duhet bërë pa kushte, dhe pas kësaj do të flasim për gjëra të tjera,”- ka thënë ai.

Ndër të tjera Solsky ka thënë se produktet bujqësore ukrainase të dërguara në dhe përmes Polonisë përfaqësonin rreth 10% të eksporteve totale të ushqimit të vendit - një sektor jetik i ekonomisë së vendit të shkatërruar nga lufta.

Polonia njoftoi pas një takimi urgjent të kabinetit të shtunën pasdite se do të ndalonte shumë importe bujqësore nga Ukraina, duke përfshirë ato të destinuara përfundimisht për vende të tjera, të paktën deri në fillim të korrikut.

"Ne nuk do t'i lëmë kurrë fermerët pa ndihmë,"- shkroi në Twitter kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki.

Ndërkohë, ministri i Bujqësisë i vendit, Robert Telus, është shprehur se ndalimi ishte i nevojshëm për të “hapur sytë e BE-së për faktin se nevojiten vendime të mëtejshme që do të lejojnë produktet nga Ukraina të shkojnë thellë në Evropë dhe jo të qëndrojnë në Poloni”.

Në anën tjetër, ministri i Bujqësisë i Hungarisë, István Nagy, ka deklaruar më vonë se ndalimi i Budapestit për importet nga Ukraina të drithërave dhe farave vajore, si dhe produkteve të tjera bujqësore, duke përfshirë frutat, perimet, qumështin, viçin, derrin dhe vezët, do të zgjasë deri më 30 qershor.

Nagy ka bërë të ditur se Hungaria dhe Polonia – të cilat janë të përfshira në konflikte të gjata me Brukselin mbi pavarësinë gjyqësore, lirinë e shtypit dhe të drejtat e LGBTQ+, dhe u janë ndaluar fondet e BE-së – po vepronin “në mungesë të masave kuptimplote të BE-së”.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian për tregtinë dhe bujqësinë tha se politika tregtare është një kompetencë ekskluzive e BE-së dhe veprimet e njëanshme “nuk janë të pranueshme. Në kohë të tilla sfiduese, është thelbësore të koordinohen dhe të harmonizohen të gjitha vendimet brenda BE-së.”

Qëndrim të ngjashëm ka deklaruar edhe qeveria ukrainase, duke thënë se “ka qenë gjithmonë simpatike ndaj situatës në sektorin bujqësor polak dhe i është përgjigjur menjëherë sfidave të ndryshme,” por ka shtuar se: “Veprimet drastike të njëanshme nuk do të përshpejtojnë zgjidhjen pozitive të situatës”.

Lajme të ngjashme