Sllovakia paralajmëron diskutim për hakmarrje ndaj “sabotimit” nga Ukraina
Koalicioni qeveritar i Sllovakisë do të diskutojë masa hakmarrëse kundër Ukrainës, pasi vendi fqinj e ndali rrjedhjen e gazit rus nëpër territorin e vet drejt Sllovakisë, tha të enjten kryeministri sllovak, Robert Fico.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetin “Facebook”, Fico tha se partia e tij Smer do t’i shqyrtojë zvogëlimin e dërgesave të energjisë në Ukrainë, pakësimin e ndihmave për refugjatët ukrainas dhe paraqitjen e kërkesës për përtëritjen e tranziteve të gazit ose dëmshpërblime për humbjet të cilat ai tha se Sllovakia i ka pësuar për shkak të përfundimit të rrjedhjes së gazit rus, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Eksportet e gazit rus përmes gazsjellësve të periudhës sovjetike, që kalojnë nëpër territorin e Ukrainës, morën fund në ditën e parë të vitit 2025, duke e shënuar perëndimin e dekadave të mbizotërimit të Moskës në tregjet energjetike të Evropës, pasi skadoi një kontratë për transitin e gazit mes Rusisë e Ukrainës.
Sllovakia ka alternativa për t’u furnizuar me gaz, por kryeministri i saj, i cili u ka dhënë fund ndihmave ushtarake për Ukrainën dhe ka synuar raporte më të ngrohta me Moskën, thotë se vendi i tij do t’i humbë të ardhurat e veta të transitit dhe do të paguajë taksa shtesë për transit për të siguruar gaz që nuk vjen nga Rusia. Ai gjithashtu tha se çmimet evropiane të gazit dhe të energjisë do të rriten si rezultat i veprimeve të Ukrainës.
Fico tha se një delegacion sllovak do ta diskutojë situatën në Bruksel të martën e ardhshme dhe pastaj koalicioni i tij qeveritar do ta diskutojë hakmarrjen për atë që ai e quajti “sabotim” nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Unë deklaroj se (partia ime Smer-SSD) është e gatshme për të debatuar dhe për t’u pajtuar në koalicion rreth ndërprerjes së dërgesave të rrymës dhe për uljen domethënëse të mbështetjes për qytetarët ukrainas në Sllovaki” – tha Fico.
“Alternativa e vetme për një Sllovaki sovrane është përtëritja e transitit ose kërkimi i mekanizmave dëmshpërblyes që do ta zëvendësojnë humbjen në financa publike prej gati 500 milionë eurosh” – shtoi ai.
Javën e kaluar, Zelensky e akuzoi Ficon për hapjne e një “fronti të dytë të energjisë” kundër Ukrainës, me urdhrin e Rusisë.
Sllovakia ka eksportuar 2,4 milionë megavatë-orë energji elektrike në 11 muajt e parë të vitit 2024 në Ukrainë, shtet që është ballafaquar me mungesë të rrymës për shkak të bombardimeve ruse, sipas të dhënave nga operatori sllovak i rrjetit energjetik./Nacionale