Singapori e ekzekuton të dënuarin e tretë brenda dy javëve – për 54 gramë heroinë - NACIONALE

Singapori e ekzekuton të dënuarin e tretë brenda dy javëve – për 54 gramë heroinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Autoritet në Singapor të enjten e ekzekutuan të burgosurin e tretë brenda dy javëve për trafikim droge pavarësisht nga thirrjet për ndërprerjen e zbatimit të këtij dënimi rreth shkeljeve që kanë të bëjnë me drogën.

Byroja Qendrore e Narkotikëve tha se Mohamed Shalleh Abdul Latiff, shtetas 39-vjeçar nga Singapori, u ekzekutua në burgun “Changi”, pasi i ishte ofruar proces i duhur sipas ligjit. Ai ishte dënuar me vdekje për trafikimin e 54 gramëve heroinë, “sasi e mjaftueshme për ta ushqyer varësinë e rreth 640 abuzuesve për një javë”, thuhet në një deklaratë.

Grupi “Transformative Justice Collective”, që e kundërshton dënimin me vdekje në Singapor, tha se i dënuari punonte si vozitës për shpërndarje të mallit para arrestimit më 2016. Ai ishte dënuar më 2019, ndërsa apeli i ishte refuzuar vitin e kaluar, raporton agjencia "Associated Press".

Sipas këtij grupi, i dënuari kishte deklaruar gjatë gjykimit se besonte që ishte duke shpërndarë cigare të kontrabanduara për një mik të cilit i kishte të holla borxh dhe se nuk e kishte verifikuar përmbajtjen e çantës, sepse i besonte mikut.

Sidoqoftë, gjykatësi i Gjykatës së Lartë vlerësoi se lidhjet e tyre nuk ishin mjaftueshëm të ngushta për ta garantuar llojin e besimit për të cilin pretendonte i pandehuri për mikun e tij. Edhe pse gjykata vlerësoi se ai ishte thjesht korrier, Shalleh u dënua me vdekje, sepse prokurorët nuk i kishin lëshuar një certifikatë që do ta dëshmonte bashkëpunimin me ta.

Sipas ligjeve në Singapor, dënimi me vdekje shqiptohet për personat që dënohen për trafikimin e më shumë se 500 gramëve kanabis ose më shumë se 15 gramëve heroinë.

Shalleh është personi i pestë që ekzekutohet këtë vit në Singapor dhe i 16-i që ekzekutohet për shkelje që kanë të bëjnë me drogën që nga rifillimi i ekzekutimeve në marsin e vitit të kaluar, pas ndërprerjes dyvjeçare shkaku i pandemisë së koronavirusit.

Javën e kaluar u ekzekutuan dy të burgosur të tjerë: Saridewi Djamani, gruaja e parë që u ekzekutua me varje në 19 vitet e fundit, për trafikimin e rreth 31 gramëve heroinë, dhe Mohammed Aziz Hussain, për trafikimin e rreth 50 gramëve heroinë.

Lajme të ngjashme