Singapori ekzekuton me varje një grua për herë të parë në gati dy dekada, qe dënuar për heroinë - NACIONALE

Singapori ekzekuton me varje një grua për herë të parë në gati dy dekada, qe dënuar për heroinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Singapori e ka ekzekutuar me varje Saridewi Djamani-n, gruaja e parë që i zbatohet ky dënim në qytetin shtet në gati 20 vjet, pavarësisht nga kundërshtimet prej grupeve për të drejtat e njeriut.

Shtetasja 45-vjeçare e Singaporit, e cila ishte shpallur fajtore për trafikim droge, u ekzekutua të premten herët, sipas Byrosë Qendrore të Narkotikëve.

Saridewi u dënua me vdekje në vitin 2018 për trafikimin e rreth 30 gramëve heroinë. Besohet se ajo është gruaja e parë që ekzekutohet nga autoritetet e këtij shteti që nga viti 2004, kur floktarja 36-vjeçare Yen May Woen ishte varur për trafikim droge, sipas grupit lokal për të drejtat e njeriut, “Transformative Justice Collective”, raporton gazeta “The Guardian”.

Saridewi kishte argumentuar se nuk kishte mundur që të jepte deklarata të sakta në polici, sepse kishte qenë duke vuajtur nga tërheqja nga përdorimi i drogës atë kohë. Megjithatë, kjo u refuzua nga një gjykatës i gjykatës së lartë, i cili vlerësoi se e akuzuara “më së shumti kishte qenë duke vuajtur nga tërheqja nga përdorimi i lehtë deri mesatar i metamfetaminës gjatë periudhës së dhënies së deklaratave” dhe se kjo gjë nuk ia kishte dëmtuar aftësinë për të dhënë deklarata.

Komisioni Global për Politika rreth Drogave, Federata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut dhe organizata “Amnesty International” i kishin bërë thirrje qeverisë së vendit që të mos e ekzekutonte gruan e shpallur fajtore.

Ajo është personi i dytë i burgosur që u ekzekutua në Singapor këtë javë dhe personi i 15-të që nga rifillimi i ekzekutimeve nga autoritetet në marsin e vitit të kaluar. Ekzekutimi i të dënuarve ishte ndërprerë për dy vjet gjatë pandemisë së koronavirusit, por qyteti shtet nga ajo kohë ka ekzekutuar mesatarisht nga një të dënuar në muaj, sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut.

Lajme të ngjashme