Singapori ekzekuton një person me varje për 1 kilogram kanabis
Singapori ka ekzekutuar një person për konspiracion për trafikim të kanabisit pavarësisht nga thirrjet e familjes së tij, aktivistëve dhe Kombeve të Bashkuara për zbutjen e dënimit ndaj tij.
Tangaraju Suppiah, 46 vjeç, u var të mërkurën në mëngjes, pasi ishte shpallur fajtor për planifikimin e trafikimit të një kilogrami kanabis, raporton televizioni BBC.
Aktivistët thonë se ai është dënuar duke u mbështetur në dëshmi të dobëta dhe se i ishte dhënë qasje e kufizuar në mbrojtje ligjore gjatë ndjekjes penale.
Megjithatë, autoritetet e Singaporit thanë se atij i është bërë gjykim i drejtë dhe i kritikuan ata që i vunë në pikëpyetje gjykatat.
Singaroi ka disa prej ligjeve më të ashpra në botë kundër drogës, duke argumentuar se ato janë masa të nevojshme parandaluese kundër krimit me drogë, i cili është problem i madh në pjesët e tjera të Azisë Juglindore.
Të mërkurën, familja e të ekzekutuarit u mblodh në burgun “Changi” afër aeroportit të qytetit për ta marrë trupin e tij.
“Familja tha se nuk do të dorëzoheshin për të deri në fund. Ata ende kanë shumë pyetje të pazgjidhura për rastin e tij dhe për dëshmitë kundër tij. Ka qenë përvojë aq pikëlluese për ta”- tha aktivistja kundër dënimit me vdekje, Kirsten Han.
Vitin e kaluar, Singapori vari 11 njerëz, të gjithë të dënuar për krime të drogës – përfshirë një person me prapambetje mendore, i cili ishte dënuar për trafikimin e tri lugëve heroinë.
Malajzia fqinje e largoi dënimin me vdekje këtë muaj, duke thënë se kjo masë nuk ishte mjet efektiv për parandalimin e krimit.
Përdorimi i kanabisit është dekriminalizuar në shumë pjesë të botës, përfshirë Tajlandën fqinje, ku tregtia me këtë bimë inkurajohet.
