Singapori pritet të ekzekutojë një burrë për një kilogram kanabis
Autoritetet në Singapor pritet të ekzekutojnë një burrë për përfshirjen e tij në trafikimin e një kilogrami kabanis, për të cilin familja e tij thotë se kurrë nuk e ka prekur.
Singapori njihet për zbatimin e rreptë të ligjeve dhe është ballafaqur me shtim të thirrjeve për ta shfuqizuar dënimin me vdekje. Vitin e kaluar u protestua kundër dënimit me vdekje, pasi autoritetet e rifilluan zbatimin e tij pas pandemisë së koronavirusit, raporton gazeta "The Independent".
Ekzekutimi i 46-vjeçarit Tangaraju Suppiah do të jetë rasti i parë i zbatimit të dënimit më të rëndë këtë vit në Singapor.
Shërbimi i Burgjeve konfirmoi se ekzekutimi i të dënuarit do të bëhet më 26 prill në burgun "Changi" dhe të mërkurën i informoi anëtarët e familjes për këtë gjë.
Suppiah është dënuar për nxitje përmes angazhimit në konspiracionin për të trafikuar 1.017,9 gramë kanabis më 2017 dhe u dënua me vdekje në dhjetorin e vitit 2018.
Burri ishte arrestuar në marsin e vitit 2014, pasi Byroja Qendrore e Narkotikëve kishte arrestuar dy burra për të cilët besohej se ishin të lidhur me të.
Kur data e ekzekutimit është afruar, familja e të dënuarit po synon që ta mbrojë atë dhe të paraqesë ankesë kundër urdhrit të gjykatës së lartë, por nuk ka këshilltar ligjor për të paraqitur kërkesë për ta mbrojtur të afërmin nga dënimi, ka marrë vesh gazeta "The Independent".
Kur iu lexuan akuzat gjatë seancës për shpalljen e dënimit, Suppiah i tha gjykatësit: "Unë nuk di për këtë. Nuk jam i përfshirë në këtë gjë."
Motra e tij, Leela, e takoi në burg të enjten, pasi e mori njoftimin për datën e ekzekutimit.
Ky do të jetë ekzekutimi i parë nga autoritetet e Singaporit pas një periudhe 6-mujore. Më 2022, në Singapor janë ekzekutuar 11 të dënuar.

