Dy grupe thonë se Irani vjet ekzekutoi 582 njerëz, 75 për qind më shumë se më 2021
Irani ekzekutoi 582 persona vitin e kaluar, 75 për qind më shumë se më 2021, sipas grupeve për të drejtat e njeriut, të cilat thonë se kjo rritje e pasqyron përpjekjen e Teheranit për të shkaktuar frikë te protestuesit kundër regjimit.
Ky është numri më i lartë i të ekzekutuarve në Iran që nga viti 2015, sipas një raporti të publikuar të enjten nga organizata me bazë në Norvegji, “Të Drejtat e Njeriut në Iran”, organizata me bazë në Francë, “Së Bashku Kundër Dënimit me Vdekje”, raporton televizioni CNN.
Në këtë raport thuhet se shumica e të ekzekutuarve – të paktën 544 – ishin njerëz të akuzuar për vrasje dhe shkelje të lidhura me drogën. Aty thuhet se gati 90 për qind e ekzekutimeve të regjistruara nuk janë njoftuar nga autoritetet iraniane dhe se disa prej tyre janë kryer në mënyrë sekrete.
Dy grupet thanë se rritja e numrit të të ekzekutuarve është mënyrë e Teheranit për t’u përpjekur që t’i frikësojë protestuesit dhe ta parandalojë pakënaqësinë, pas protestave gjithëkombëtare që u nxitën nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini në shtatorin e vitit të kaluar.
Autoritetet iraniane u janë kundërpërgjigjur protestave me forcë, arrestime masive dhe gjykime të shpejta, duke nxitur reagime globale e sanksione nga Shtetet e Bashkuara.
Thuhet se më shumë se gjysma e ekzekutimeve vitin e kaluar u kryen pas shpërthimit të protestave në shtator. Rreth 44 për qind e të dënuarve me vdekje ishin të akuzuar për shkelje të lidhura me drogën, pavarësisht të mungesës së dëshmive për shtim të dukshëm të përdorimit ose trafikimit të drogës të raportuar nga agjencitë ndërkombëtare, thuhet në raport.
Dy grupet i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar që “t’i shtojë përpjekjet për t’i përkrahur kërkesat e popullit iranian për respektimin e të drejtave të tyre themelore dhe për shfuqizimin e dënimit me vdekje”.

