Protestat në Iran: Këshilli i OKB-së voton për të hetuar shkeljet e të drejtave të njeriut - NACIONALE

Protestat në Iran: Këshilli i OKB-së voton për të hetuar shkeljet e të drejtave të njeriut

1 javë më parë

nga Miranda Shala

Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka nisur të enjten një hetim ndërkombëtar mbi dhunën e vazhdueshme nga regjimi islamik në Teheran kundër një lëvizjeje proteste 10-javore të shkaktuar nga vdekja në paraburgim e 22-vjeçares Mahsa Amini.

Votimi erdhi pas një sesioni të rrallë special të organit të OKB-së, kushtuar ekskluzivisht dhunës së vazhdueshme në Iran.

Një mocion për një mision faktmbledhës për abuzimet ndaj grave dhe fëmijëve, i paraqitur nga Gjermania dhe Islanda, u miratua me një votim me 25 pro, 6 kundër dhe 16 abstenime.

“Më dhemb të shoh se çfarë po ndodh në vend – imazhe të fëmijëve të vrarë, të grave të rrahura në rrugë”, është shprehur Volker Turk, komisioneri i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, duke shtuar se,“metodat e vjetra dhe mentaliteti i kalasë së atyre që kanë pushtetin thjesht nuk funksionojnë.”

Në fakt ato vetëm sa e përkeqësojnë situatën. Tani jemi në një krizë të plotë të të drejtave të njeriut," ka thënë ai.

Sipas Hrana, një grup i të drejtave me bazë në Oslo, gjatë protestave të mbajtura në më shumë se 150 qytete në të gjithë Iranin janë vrarë të paktën 440 protestues, ndërsa janë arrestuar 18,000 të tjerë.

Lëvizja protestuese e Iranit, e shkaktuar nga vdekja e Amini-t ndërsa ishte në paraburgim të policisë së moralit dhe e udhëhequr nga gratë dhe të rinjtë, mori vëmendjen ndërkombëtare sërish në fillim të kësaj jave pasi lojtarët e ekipit kombëtar të futbollit të Iranit refuzuan të këndonin himnin kombëtar në një ndeshje kundër Anglisë në Kupën e Botës që po zhvillohet në Katar.

Lajme të ngjashme