Irani thotë se ka ekzekutuar dy burra për vrasjen e një paramilitari gjatë protestave - NACIONALE

Irani thotë se ka ekzekutuar dy burra për vrasjen e një paramilitari gjatë protestave

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Organet e drejtësisë në Iran kanë thënë se dy burra janë ekzekutuar nga autoritetet, pasi ata ishin shpallur fajtorë për vrasjen e një anëtari të forcave paramilitare gjatë protestave të nxitura nga vdekja në ndalim policor e një gruaje të re.

Ekzekutimi i këtyre dy burrave e dyfishon numrin e personave të ekzekutuar deri më tani në lidhje me protestat gjithëkombëtare. Dy burra u ekzekutuan në dhjetor, duke nxitur reagime globale, shkruan “The Guardian”.

“Mohammad Mahdi Karami dhe Seyeed Mohammad Hosseini, autorët kryesorë të krimit që çoi në martirizimin e Ruhollah Ajamian-it, u varën këtë mëngjes”- raportoi të shtunën agjencia e lajmeve “Mizan Online”.

Gjykata e shkallës së parë i kishte dënuar këta dy burra me vdekje në fillim të dhjetorit, thuhet nga kjo agjenci, dhe Gjykata Supreme të martën e mbajti në fuqi dënimin me vdekje për ta, duke i akuzuar për një vrasje të kryer më 3 nëntor.

Viktima ishte anëtar i grupit militant “Basij”, i lidhur me Rojat Revolucionare të Iranit, i cili vdiq në Karaj, në perëndim të Teheranit.

Prokurorët kanë thënë se burri 27-vjeçar ishte zhveshur lakuriq dhe ishte vrarë nga një grup i personave që po mbanin zi për protestuesen e vrarë, Hadis Najafi.

Autoritetet iraniane kanë arrestuar mijëra persona gjatë valës së protestave që filluan pas vdekjes në ndalim policor të 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila ishte arrestuar nga policia e moralit me pretendimin se e kishte shkelur kodin e veshjes për gra.

Që nga fillimi i protestave, gjykatat iraniane kanë dënuar me vdekje 14 persona në lidhje me kryengritjet e muajve të fundit, sipas përllogaritjes së agjencisë franceze të lajmeve, AFP, të mbështetur në të dhëna zyrtare.

Në mesin e këtyre personave, katër janë ekzekutuar, dy të tjerëve u është vërtetuar dënimi nga Gjykata Supreme, gjashtë janë duke pritur gjykime të reja dhe dy të tjerë mund të paraqesin ankesë.

Lajme të ngjashme