Protestuesit iranianë i vënë zjarrin shtëpisë së Ajatollah Khomeinit
Protestuesit në Iran i kanë vënë zjarrin shtëpisë së themeluesit të Republikës Islamike, Ajatollah Ruhollah Khomeini.
Pamje të postuara në mediat sociale tregojnë një pjesë të strukturës në qytetin Khomein duke u djegur, e ndërkohë që agjencitë e lajmeve kanë verifikuar vendndodhjen e videove, autoritetet rajonale kanë mohuar se ka pasur sulm me zjarrvënie.
Protestors in the city of Khomein have burned down the childhood home of the late Ayatollah Khomeini, founder of the country's current theocracy. The symbolic significance of this move against the most revered figure in the Islamic Republic cannot be overstated.#MahsaAmini pic.twitter.com/vmoJfj3NAX
— Siavash Ardalan (@BBCArdalan) November 18, 2022
Mendohet se Khomeini ka lindur në atë shtëpi, e cila tani është kthyer në një muze që përkujton jetën e tij.
Khomeini ishte udhëheqësi i revolucionit islamik të Iranit në vitin 1979, i cili rrëzoi liderin properëndimor të vendit, Shah Mohammad Reza Pahlavi, dhe bëri shtetin teokratik, siç është edhe sot.
Ai ka shërbyer si lideri i parë suprem i Iranit deri në vdekjen e tij në 1989, ditë e cila ende shënohet çdo vit si ditë zie.
Videot e shpërndara në mediat sociale, tregojnë dhjetëra njerëz që brohorasin ndërsa shpërthen zjarri. Një aktivist ka thënë se pamjet janë marrë të enjten në mbrëmje, megjithatë nga zyra e qarkut Khomein është mohuar një sulm i tillë.
Zjarri në shtëpinë e Khomein, është vetëm një nga incidentet e fundit në një valë demonstratash mbarëkombëtare drejtuar pasuesit të tij, Ajatollah Ali Khamenei, dhe qeverisë së tij.
Kujtojmë se protestat në vend kanë shpërthyer rreth dy muaj më parë pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Aminit.
