Irani paralajmëron protestuesit: Mos dilni më në rrugë - NACIONALE

Irani paralajmëron protestuesit: Mos dilni më në rrugë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Kreu i Gardës Revolucionare të elitës së Iranit ka kërkuar nga iranianët që të përfundojnë protestat disajavore që kanë kapluar vendin, duke u thënë se e shtuna do të jetë “dita e fundit” e protestave.

Duke folur nga funerali i viktimave të sulmit të kryer nga Shteti Islamik në qytetin e Shirazit, Hossein Salami u ka bërë thirrje të rinjve iranianë që të heqin dorë nga protestat.

“Sot është dita e fundit e trazirave. Mos dilni më në rrugë. Çfarë doni nga ky komb?” është shprehur Salami.

Kujtojmë se, protestat kanë përfshirë Republikën Islamike për javë të tëra pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila vdiq në paraburgim pas arrestimit nga “policia e moralit” për shkelje të “kodit të veshjes”.

Pretendime për ndërhyrje të huaja

Salami po ashtu ka kritikuar ndikimin e supozuar të politikanëve amerikanë dhe izraelitë në lëvizjen protestuese, duke thënë se ata "nuk ju thërrasin drejtpërdrejt, por përmes mediave të tyre ju detyrojnë të përballeni me shoqërinë tuaj".

Të enjten, Irani po ashtu ka paralajmëruar Arabinë Saudite, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, që të "ndalojnë ndërhyrjen në punët e brendshme të vendit".

Ndërsa një ditë pas, vendi ka akuzuar Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA) dhe Departamentin e Shtetit të ShBA-së, duke thënë se kanë luajtur një rol të madh në protestat e fundit në Iran, me anë të takimeve dhe bashkëpunimeve me liderët e rajonit të Kurdistanit të Iranit muajin e kaluar.

Lidhur me këto akuza, CIA nuk ka pranuar të komentojë, por Sekretari i Shtetit Antony Blinken është shprehur, duke thënë se: “Unë e di që regjimi iranian do të përpiqet të pikturojë këtë dhe shprehje të tjera solidariteti me ata që janë në këmbë për liritë e tyre si dëshmi se këto protesta janë bërë disi jashtë Iranit, se janë punë e të tjerëve, dhe nëse është kështu ata në thelb nuk e kuptojnë popullin e tyre, sepse kjo është për luftën e Iranit, luftën e popullit të Iranit për liritë themelore që janë mohuar prej kohësh, kjo është ajo për të cilën bëhet fjalë.”

Blinken më tej ka shtuar se, “sa më shpejt që regjimi ta kuptojë këtë dhe të veprojë mbi të, aq më mirë do të jetë të gjithë”.

Lajme të ngjashme