Singapori pritet të ekzekutojë një grua për herë të parë në gati 20 vjet - NACIONALE

Singapori pritet të ekzekutojë një grua për herë të parë në gati 20 vjet

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Autoritetet në Singapor pritet që të ekzekutojnë një grua për herë të parë në gati dy dekada, thonë mbrojtësit e të drejtave të njeriut.

Shtetasja e Singaporit, Saridewi Djamani, 45 vjeçe, ishte shpallur fajtore më 2018 për trafikimin e 30 gramëve heroinë, raporton televizioni BBC.

Ajo do të jetë e dënuara e dytë për shkelje rreth drogës që do të ekzekutohet brenda tri ditëve, pas shtetasit tjetër, Mohd Aziz bin Hussain, ndërsa e pesëmbëdhjeta nga marsi i vitit të kaluar.

Singapori është në mesin e shteteve me ligjet më të ashpra kundër drogës në botë. Autoritetet thonë se këto ligje janë të nevojshme për ta mbrojtur shoqërinë.

Azizi ishte dënuar për trafikimin e 50 gramëve heroinë. Në Singapor, dënimi me vdekje shqiptohet për trafikimin e më shumë se 15 gramëve heroinë dhe më shumë se 500 gramëve kanabis.

Në prill të këtij viti, një shtetas tjetër i Singaporit, Tangaraju Suppiah, u ekzekutua për trafikimin e një kilogrami kanabis, të cilin kurrë nuk e kishte prekur. Autoritetet thanë se ai e kishte bashkërenduar shitjen e drogës përmes telefonit.

Miliarderi britanik, Sir Richard Branson, përsëri e ka kritikuar Singaporin për ekzekutimin e të dënuarve, duke thënë se dënimi me vdekje nuk e parandalon krimin.

“Trafikuesit e sasisë së vogël të drogës kanë nevojë për ndihmë, sepse shumica ngacmohen për shkak të rrethanave të tyre”- shkroi ai në një rrjet social, duke shtuar se nuk është shumë vonë për ta parandaluar ekzekutimin e gruas së dënuar.

Mediat lokale kanë raportuar se Djamani kishte rrëfyer gjatë gjykimit se ishte duke grumbulluar heroinë për përdorim personal gjatë muajit të Ramazanit.

Lajme të ngjashme