Si mund ta ndihmojnë Rusinë armët e Koresë së Veriut? - NACIONALE

Si mund ta ndihmojnë Rusinë armët e Koresë së Veriut?

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Sipas disa raporteve të fundit nga mediat amerikane, duket se Korea e Veriut është duke i shitur miliona raketa dhe predha artilerie, aleatit të saj nga Lufta e Ftohtë, Rusisë.

Edhe pse Rusia këto raporte të dala edhe nga inteligjenca amerikane i ka quajtur “të rreme”, zyrtarët amerikanë thonë se kjo tregon se sa e dëshpëruar është Rusia për luftën në Ukrainë.

Sipas Associated Press, municionet qe thuhet se Korea e Veriut synon ti shesë Moskës, janë kopje të mundshme të armëve të epokës sovjetike që mund të përshtaten me raketat ruse. Megjithatë, ende ka pyetje rreth cilësisë së furnizimeve dhe se si mund ta ndihmojnë këto furnizime ushtrinë ruse.

Me çka saktësisht do ta furnizojë Korea e Veriut, Rusinë?

E goditur nga sanksionet ndërkombëtare dhe kontrollet e eksportit, në muajin gusht Rusia bleu dronë të prodhuar nga Irani për të cilët zyrtarët amerikanë thanë se kishin probleme teknike. E tani, ka të ngjarë që për Rusinë, Korea e Veriut të jetë një tjetër opsion i mirë për furnizim me municione, sepse dihet që vendi posedon një rezervë të konsiderueshme predhash, shumë nga to kopje të atyre që janë përdorur në kohën sovjetike.

Korea e Veriut “mund të përfaqësojë burimin e vetëm më të madh të municioneve të përputhshme të artilerisë jashtë Rusisë, duke përfshirë objektet e prodhimit vendas për furnizime të mëtejshme”, është shprehur Joseph Dempsey, bashkëpunëtor kërkimor për mbrojtjen dhe analizat ushtarake në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS).

Ndërsa, Lee Illwoo, një ekspert në Rrjetin e Mbrojtjes së Koresë në Korenë e Jugut, tha se Korea e Veriut dhe ajo e Jugut – të ndara përgjatë kufirit më të fortifikuar në botë për më shumë se 70 vjet – posedojnë dhjetëra miliona predha artilerie. Ai thotë se ka shumë mundësi që Korea e Veriut të shesë predhat më të vjetra në mënyrë që t’i zëvendësojë ato me më të reja dhe më të sofistikuara.

Sa cilësore janë armët e Koresë së Veriut?

Sipas një vlerësimi të IISS, Korea e Veriut ka rreth 20,000 copë artilerie, duke përfshirë raketahedhës të shumtë në shërbim, një numër që Dempsey e përshkroi si "dukshëm më shumë se çdo vend tjetër në botë".

Media shtetërore e Koresë së Veriut i ka quajtur armët e saj të artilerisë "krahu i parë i Ushtrisë Popullore dhe krahu më i fuqishëm në botë", megjithatë, sistemet e saj të vjetra të artilerisë, municionet e të cilave ka të ngjarë t’i ofrohen Rusisë, kanë një reputacion për saktësi të dobët.

Ekspertët dyshojnë për dobinë e municioneve të Koresë së Veriut për fushatën ruse në Ukrainë, e cila sipas tyre tani ka një ushtri të varfëruar.

Edhe pse është e paqartë se sa serioze është mungesa e municioneve në ushtrinë ruse. Në korrik, një zyrtar i lartë i mbrojtjes i ShBA-së u tha gazetarëve se Rusia po lëshonte dhjetëra mijëra raunde artilerie çdo ditë dhe nuk mund të vazhdonte shumë në atë manyrë.

"Ndërsa ende mund të posedojnë stoqe, ato mund të jenë duke cënuar gjithnjë e më shumë ato që kanë qenë të rezervuara për raste të ndonjë konflikti më të gjerë në të ardhmen,” tha Dempsey.

Nuk pritet që Korea e Veriut ta furnizojë Rusinë me raketa balistike

Yang Uk, një analist në Institutin Asan për Studime Politike të Seulit, tha se nuk ka gjasa që Korea e Veriut t'i ofrojë Rusisë raketa balistike që ajo i sheh si vendimtare në strategjitë e saj ushtarake ndaj Uashingtonit dhe Seulit.

Ai shtoi se edhe nëse vendi do të vendosste të furnizojë Rusinë me raketa, do t'i duhet t’i dërgojë edhe platformat e tyre të lëshimit, sepse Rusia nuk ka lëshues për Scuds të Veriut dhe raketat e tjera.

Korea e Veriut ka të zhvilluar një raketë balistike me kabllo bërthamore shumë të manovrueshme, e cila ka të ngjarë të jetë modeluar sipas Iskanderit të Rusisë. Por sipas një eksperti ushtarak në Forumin e Mbrojtjes me bazë në Seul, Shin Jongëoo, të dy raketat janë të madhësive të ndryshme.

Çfarë mund të kërkojë në këmbim Korea e Veriut?

Në këmbim të armëve, ekspertët thonë se ka mundësi që Korea e Veriut të kërkojë nga Rusia ushqim, karburant dhe materiale të tjera, sepse Veriu e ka të vështirë të blejë mallra të tilla nga jashtë për shkak të sanksioneve të OKB-së të vendosura ndaj vendit për programin e saj bërthamor.

Lajme të ngjashme