Raport: Ja sa fitoi Rusia nga nafta dhe gazi dhe sa shpenzoi për luftë - NACIONALE

Raport: Ja sa fitoi Rusia nga nafta dhe gazi dhe sa shpenzoi për luftë

1 vit më parë

nga Lirim Krasniqi

Në gjysmën e parë të vitit, që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, Rusia fitoi 158 miliardë euro nga eksporti i naftës dhe gazit dhe klienti kryesor është Bashkimi Evropian (BE). Kjo u zbulua në një raport gjithëpërfshirës të lëshuar nga Qendra për Kërkimin e Energjisë dhe Ajrit të Pastër (CREA).

Në të njëjtën kohë, sipas vlerësimeve, rusët shpenzuan rreth 100 miliardë euro për luftën.

“Qeveria ruse ka mbledhur të paktën 43 miliardë euro (buxheti federal për vitin 2021 ishte 230 miliardë euro) në taksa dhe detyrime që nga fillimi i luftës”, vlerësoi Lauri Myllyvirta, autori kryesor i raportit. Në këtë fazë, shtoi ai, "këto të ardhura tejkalojnë shpenzimet ushtarake ruse, të cilat vlerësohen në 100 miliardë euro, ndërsa shkatërrimi i infrastrukturës ukrainase vlerësohet në 110 miliardë".

“Pavarësisht sanksioneve dhe rënies së importeve nga BE, Moska e kompensoi me mjeshtëri rënien e eksporteve duke rritur çmimet, veçanërisht në tregjet evropiane. Në korrik dhe gusht, vëllimi i eksporteve ishte më i ulët për 25 për qind në bazë vjetore, por të ardhurat u rritën me 30 për qind. Si rezultat i kësaj, importet e gazit mund të kenë rënë me 70 për qind, por të ardhurat e Rusisë nga eksporti mbetën pothuajse të pandryshuara", thuhet në raport.

Në gjysmën e parë të vitit, BE është ende importuesi më i madh i lëndëve djegëse fosile ruse (85 miliardë euro), përpara Kinës, Turqisë dhe Indisë. Brenda BE-së, Gjermania kryeson, e ndjekur nga Holanda, Italia, Polonia dhe Franca (5.5 miliardë euro). /Nacionale/

Lajme të ngjashme