Pas një muaji, Ukraina pranon se ishte prapa sulmeve ajrore në Krime - NACIONALE

Pas një muaji, Ukraina pranon se ishte prapa sulmeve ajrore në Krime

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Pas një muaji pasigurie se kush ishte pas sulmeve ajrore që goditën Krimenë, më në fund Ukraina ka marrë përgjegjësinë.

Një nga sulmet, i cili ndodhi në fillim të gushtit, kishte në shënjestër bazën ushtarake ruse Saky dhe vrau një person.

Deri më tani Ukrainë ka refuzuar të pranojë rolin e saj në sulme, duke fajësuar Rusinë.

Por, në një artikull të fundit për agjencinë kombëtare të lajmeve Ukrinform, komandanti i lartë i Kievit, Valeriy Zaluzhnyi, ka njoftuar se raketat ukrainase kishin shënjestruar një numër vendesh ushtarake të Krimesë, duke përfshirë bazën ajrore Saky e cila u trondit nga shpërthime të shumta më 9 gusht.

Ai pretendoi se sulmi - kundër një baze të përdorur nga Moska për të nisur sulmet kundër Ukrainës - nxori "jashtë veprimit" 10 avionë luftarakë rusë.

Ndërsa, përveç dëmtimit të aftësive ushtarake të Rusisë, Zaluzhnyi tha se synohej të sfidonte besimin e përgjithshëm ushtarak të Rusisë dhe ndjenjën e mosndëshkimit.

Ai shtoi se, sulmet ishin pjesë e një përgjigjeje të qëllimshme ndaj përpjekjeve ruse për t'i larguar civilët e saj nga konflikti.

Baza ajrore Saky është afër Novofedorivka në bregun perëndimor të Krimesë, një zonë plazhi e njohur për turistët rusë.

E që nga fillimi i pushtimit rus, sulmi në Saky ishte i pari që Ukrainë kishte bërë në Krime, por kohët e fundit gadishulli i kontrolluar nga Rusia është bërë objekt i një numri në rritje të kërcënimeve ushtarake ukrainase.

Pretendimi i Ukrainës për rolin e saj në sulmin e gushtit shënon një ndryshim të ashpër nga qëndrimi i saj i mëparshëm zyrtar se ajo nuk ishte e përfshirë.

Në një moment, ministri i mbrojtjes i Ukrainës sugjeroi se shpërthimi i Saky mund të ishte shkaktuar nga pirja e pakujdesshme e duhanit nga ushtarët rusë.

"Duket sikur ata i hodhën bishtat e cigareve në disa vende në të njëjtën kohë," është shprehur më parë, Oleksii Reznikov për një media daneze.

E nga ana tjetër, autoritetet e Krimesë të instaluara nga Rusia kanë refuzuar të akuzojnë drejtpërdrejt Ukrainën për përgjegjësi.

Në vend të kësaj, zyrtarët lokalë kanë thënë se shpërthimet në bazën ajrore Saky, ishin shkak i një shpërthimi të pashpjegueshëm të municionit, përpara se të thonin se ishin, "akte sabotimi".

Kujtojmë se, Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina në mars të vitit 2014, pas një referendumi që u pa si i paligjshëm nga komuniteti ndërkombëtar.

Lajme të ngjashme