Shteti me pagën minimale më të lartë në ShBA do ta rrisë atë edhe më shumë më 2024
Shtetet e Bashkuara njihen për nivelin e zhvillimit dhe për të ardhurat mesatare mjaft të larta në nivel global. Por cili shtet i ShBA-së e ka pagën minimale më të lartë dhe sa pritet që ky prag të rritet vitin e ardhshëm?
Sipas zyrtarëve shtetërorë të punës, shteti i Uashingtonit, që shtrihet në pjesën veriperëndimore të Shteteve të Bashkuara, në kufi me Kanadanë, dhe që nuk duhet të ngatërrohet me kryeqytetin Uashington D.C., e ka pagën minimale më të lartë në mbarë vendin, raporton “ABC News”.
Departamenti i Punës dhe Industrive në Uashington njoftoi javën e kaluar se paga minimale në këtë shtet do të rritet për 54 centë në orë vitin e ardhshëm, duke shkuar në 16 dollarë e 28 centë në orë, raporton “The Seattle Times”. Një punëtor me orar të plotë e me pagë minimale do të fitonte gati 34 mijë dollarë në vit ose rreth 2.800 dollarë në muaj.
Rritja prej 3,37 për qind është përshtatje ndaj kostos së jetesës, duke u mbështetur në Indeksin Federal të Konsumit.
Tri qytete në Uashington tashmë kanë pagë minimale më të lartë se ky prag. Për shumicën e punëtorëve në Seattle, paga minimale është 18,69 dollarë në orë, ndërsa në periferinë Tukwila 18,99 dollarë në orë. Në SeaTac, ku ndodhet aeroporti ndërkombëtar “Tacoma”, paga minimale është 19,06 dollarë në orë.
Në West Hollywood të Kalifornisë jepet paga minimale më e lartë nga secili qytet tjetër amerikan. Gjatë verës, ky prag shkoi në 19,08 dollarë në orë.
Që nga viti 2009, paga minimale në nivel federal ka qenë 7,25 dollarë në orë.
Për punëtorët e moshave 14 dhe 15-vjeçare, punëdhënësit në shtetin e Uashingtonit mund ta japin 85 për qind të pagës minimale, që i bie 13,84 dollarë në orë vitin e ardhshëm.