Shtëpia e Bardhë synon zvogëlim të madh të fondeve për hetimin e krimeve të luftës - NACIONALE

Shtëpia e Bardhë synon zvogëlim të madh të fondeve për hetimin e krimeve të luftës

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Shtëpia e Bardhë e ka rekomanduar përfundimin e financimit amerikan për rreth 20 programe me të cilat kryhen punë për llogaridhënie rreth krimeve të luftës në nivel global, përfshirë Mianmarin, Sirinë dhe mizoritë e dyshuara ruse në Ukrainë, sipas tri burimeve amerikane të afërta me këtë çështje dhe dokumenteve të brendshme qeveritare që i ka analizuar agjencia e lajmeve “Reuters”.

Rekomandimi nga Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit (OMB), i cili u bë të premten dhe për të cilin nuk është raportuar më parë, nuk është vendimi përfundimtar për t’u dhënë fund programeve, pasi Departamentit të Shtetit i jepet mundësia për të apeluar, raporton agjencia “Reuters”.

Megjithatë, ky rekomandim vendos një shkëmbim të mundshëm qëndrimesh mes Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit dhe sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, e ndihmësve të tij, të cilët do t’i përgjigjen OMB-së me sugjerimet e tyre në lidhje me atë se cilat programe meritojnë që të vazhdojnë së funksionuari.

Këto programe e përfshijnë punën edhe në Irak, Nepal, Sri-Lankë, Kolumbi, Bjellorusi, Sudan, Sudan të Jugut, Afganistan dhe Gambi, sipas burimeve dhe një liste që e ka parë agjencia “Reuters”.

Departamenti i Shtetit refuzoi që të komentonte. Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Pritja që Rubio të argumentojë se shumë programe duhet të vazhdojnë është e ulët, sipas tre zyrtarëve amerikanë. Sidoqoftë, kryediplomati amerikan mund ta mbrojë mbajtjen e disa programeve jetike, si mbështetja e ndjekjes penale të krimeve të mundshme të luftës në Ukrainë, sipas një burimi të afërt me çështjen, transmeton gazeta "Nacionale".

Disa programe të caktuara për të marrë fund lidhen me projekte të llogaridhënies për krime në Ukrainë, thanë tri burime të afërta me çështjen, përfshirë programin “Global Rights Compliance”, me të cilin po mbështetet grumbullimi i dëshmive për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit në mbarë Ukrainën, si dhuna seksuale dhe tortura.

Shumë prej programeve të rekomanduara për t’u përfunduar i kushtohen fuqizimit të organizatave lokale që e synojnë avancimin e drejtësisë në shoqëri që janë ballafaquar me mizori, tha njëri nga burimet, duke shtuar se disa programe kanë vazhduar me dekada nën mbikëqyrjen e administratave republikane e demokrate në Shtëpinë e Bardhë.

“Edhe nëse sekretari Rubio ndërhyn për t’i shpëtuar këto programe, shumë prej të cilave ai i kishte përkrahur si senator, nuk do të mbetet askush për t’i menaxhuar këto programe” – tha njëri nga burimet.

Administrata e presidentit Donald Trump ka ngrirë e më pas ka hequr miliarda dollarë nga programet për ndihma të huaja që nga marrja e pushtetit më 20 janar për t’u siguruar që paratë e taksapaguesve amerikanë të financojnë programe që janë në vijë me politikat e agjendës së tij, “Amerika e Para”./Nacionale

Lajme të ngjashme