Shpërthimi në Poloni - të gjitha detajet e rastit që mori vëmendjen botërore
Pas rënies së një rakete në fshatin Przewodow në Poloni, pranë kufirit me Ukrainën, ku mbetën të vrarë dy persona, aleatët e NATO-s zhvilluan një takim në Bruksel për të reaguar lidhur me situatën.
Ky shpërthim, tashmë i pranuar nga vetë Polonia si aksidental, nuk ishte incidenti i parë që ka ndodhur në një territor të NATO-s, gjatë luftës gati nëntë-mujore në Ukrainë.
Nacionale sjell në vazhdim të përmbledhura të gjitha informacionet në lidhje me rastin që solli reagime nga e gjithë bota.
- Presidenti i Polonisë Andrzej Duda ka thënë se nuk ka prova që tregojnë se sulmi me raketa në Przewodów ishte një sulm i qëllimshëm ose se ishte nisur nga Rusia. Duda tha se kishte "shumë indikacione se raketa ishte lëshuar si pjesë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe fatkeqësisht ka rënë në territorin polak". Ndërkohë, kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, i tha parlamentit polak se është e mundur që incidenti të jetë rezultat i një provokimi nga pala ruse.
- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka konfirmuar se analizat fillestare treguan se incidenti ishte "shkaktuar nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase e lëshuar për të mbrojtur territorin ukrainas kundër sulmeve me raketa ruse. “Më lejoni të jem i qartë: ky nuk është faji i Ukrainës, Rusia mban përgjegjësinë përfundimtare pasi vazhdon luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës,” ka thënë ai.
- Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë gjithashtu se raketa nuk kishte gjasa të jetë lëshuar nga Rusia për shkak të trajektores së saj. Ndërkohë, edhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se ShBA nuk kishte parë asgjë që binte në kundërshtim me vlerësimin paraprak të Polonisë se raketa e së martës në mbrëmje ishte rezultat i një rakete të mbrojtjes ajrore ukrainase.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë se është i bindur se raketa nuk ishte ukrainase. Duke folur me gazetarët, Zelensky tha se kishte marrë raporte nga komanda e forcave të armatosura dhe forcave ajrore të Ukrainës dhe "nuk mund të mos u besojë atyre".
- Ukraina ka kërkuar “qasje të menjëhershme” në vendin e shpërthimit në Poloninë lindore, ka bërë të ditur një zyrtar i lartë ukrainas i mbrojtjes. Oleksiy Danilov tha se Ukraina dëshironte një "studim të përbashkët" të incidentit të së martës me partnerët e saj. Lidhur me këtë kërkesë, presidenti polak, Andrzej Duda, tha se si Polonia ashtu edhe ShBA-ja duhet të bien dakord përpara se të lejohet që Ukraina të marrë pjesë në hetim.
- Ministria ruse e Mbrojtjes ka pohuar se, të martën, ajo nuk kishte shënjestruar askund brenda 35 km nga kufiri Ukrainë-Poloni. Në një deklaratë të raportuar nga Tass, ministria ka thënë se, “deklaratat për raketat ruse në Przewodów ishin një provokim i qëllimshëm me qëllim përshkallëzimin e situatës". Po ashtu ministria ka pretenduar se ka identifikuar mbetjet e raketës si S-300 e Ukrainës.
- Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak ka fajësuar luftën "mizore dhe të paepur" të Vladimir Putin për destabilizimin e ekonomisë botërore, ndërsa u ka bërë thirrje aleatëve të NATO-s që të presin rezultatet e "një hetimi të plotë mbi rrethanat pas raketave që ranë dje në Poloni".
- Ish-presidenti rus dhe aleati afatgjatë i Putinit, Dmitry Medvedev, ka thënë se shpërthimi në territorin polak tregoi se perëndimi po i afrohej një tjetër Lufte Botërore. “Incidenti me goditjen me raketa të supozuar nga Ukraina në një fshat polak dëshmon vetëm një gjë: duke zhvilluar një luftë hibride kundër Rusisë, perëndimi i afrohet luftës botërore”, ka shkruar Medvedev në Twitter.

