Shpërthen kolera vdekjeprurëse në Pakistan, shkak uji i kontaminuar - NACIONALE

Shpërthen kolera vdekjeprurëse në Pakistan, shkak uji i kontaminuar

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Një shpërthim vdekjeprurës kolere i lidhur me ujin e pijshëm të kontaminuar ka infektuar mijëra njerëz në Pakistanin qendror, ndërsa vendi përballet me krizën e ujit nga një valë brutale e të nxehtit në Azinë Jugore.

Sipas CNN, në disa pjesë të Pakistanit dhe Indisë, javët e fundit temperaturat kanë arritur nivele rekord duke vënë në rrezik jetën e miliona njerëzve pasi efektet e krizës klimatike janë ndjerë në të gjithë nënkontinentin.

Rastet e kolerës u identifikuan për herë të parë në Pir Koh, një qytet i largët malor në provincën Balochistan, më 17 prill. E që atëherë, sipas Dr. Ahmed Baloch, nga departamenti shëndetësor i Balokistanit më shumë se 2,000 njerëz janë infektuar dhe gjashtë kanë vdekur.

Banorët në Pir Koh thonë se nuk kanë akses në ujë të pijshëm të pastër, pasi mungesa e shiut këtë vit ka bërë që pellgjet e afërta të thahen, me burimin e vetëm një tubacion që ishte ndryshkur duke kontaminuar edhe ujin.

Kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif ka urdhëruar "masa urgjente ndihme" për të frenuar shpërthimin e kolerës në Pir Koh dhe për të ndihmuar në sigurimin e rezervuarëve të lëvizshëm me ujë të pastër.

Kolera është një sëmundje akute diarreike që çdo vit vret mijëra njerëz në mbarë botën0. Sëmunjda transmetohet lehtësisht, duke konsumuar ushqim ose ujë të kontaminuar me bakteret fekale Vibrio cholerae.

Shkencëtarët ka kohë që kanë paralajmëruar për ndikimet e rënda të ndryshimeve klimatike në shëndetin e njeriut, me rritjen e temperaturave që inkurajojnë përhapjen e patogjenëve të rrezikshëm si kolera.

Temperaturat në Jacobabad, një nga qytetet më të nxehta në botë, të dielën arritën në 51 gradë Celsius. Ndërsa, temperaturat mesatare të larta në qytet këtë muaj kanë qenë rreth 45 gradë Celsius.

Dhe, sipas Departamentit Meteorologjik të Pakistanit, nuk pritet një ulje e temperaturave së shpejti, e ndërsa stuhitë e pluhurit, erërat e forta dhe shirat e shpërndarë sollën pak lehtësim në pjesë të vendit gjatë dy ditëve të fundit, temperaturat pritet të rriten sërish nga e mërkura.

Kujtojmë se, në verën e vitit 2015, një valë e të nxehtit vrau më shumë se një mijë njerëz në qytetin më të madh të Pakistanit, Karaçi.

Lajme të ngjashme