Shkuan për t’i ndalur përleshjet sektare, rritet numri i pjesëtarëve të sigurisë të vrarë në Siri
Ministria e Mbrojtjes e Sirisë ka thënë se të paktën 18 pjesëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë në qytetin me popullsi kryesisht të komunitetit Druze, Sweida, pasi u dislokuan për t’i ndalur përleshjet vdekjeprurëse sektare që kishin rinisur të hënën, ndërsa Izraeli tha se goditi tanke në një qytezë të provincës së njëjtë dhe po atë ditë.
Luftimet e së dielës mes militantëve të komunitetit Druze dhe luftëtarëve fisnorë beduinë ishin hera e parë që dhuna sektare shpërtheu brenda vetë qytetit Sweida, pas muajve me tensione në provincën me të njëjtin emër, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Hassan Abdel-Ghani, tha në deklarata të raportuara nga agjencia shtetërore siriane e lajmeve, SANA, se një numër trupash gjithashtu u lënduan gjatë sulmeve ndaj pikave ushtarake nga “grupe të jashtëligjshme”.
Më herët, kjo ministri than ë një deklaratë për agjencinë “Reuters” se këto grupe, të cilat nuk i identifikoi më në hollësi, kishin sulmuar një numër të njësiteve të saj në agim.
Ministria e Mbrojtjes tha se iu kundërpërgjigj sulmeve dhe i kishte ndjekur grupet që kishin refuzuar t’i ndalnin armiqësitë dhe kishin vazhduar t’i shënjestronin forcat e sigurisë.
Ndërkohë, ushtria izraelite tha se kishte sulmuar disa tanke në një qytezë në Sweida. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se këto sulme ishin “paralajmërim i qartë për regjimin sirian”, duke shtuar se vendi i tij nuk do të lejojë që të lëndohet komuniteti Druze që jeton në Siri.
Nga luftimet e së dielës mbetën 30 njerëz të vrarë dhe ky zhvillim i shtyu forcat e sigurisë të Sirisë që të dislokonin njësite në qytet për ta kthyer qetësinë dhe për ta garantuar kalimin e lirë të civilëve që donin të largoheshin, tha Ministria e Mbrojtjes në deklarata të mëhershme.
Një burim i sigurisë tha se trupat siriane do të synojnë që ta shtrijnë kontrollin shtetëror në tërë provincën jugore për ta parandaluar vazhdimin e dhunës, por se për këtë mund të nevojiten disa ditë./Nacionale