Shkon në mbi 60 numri i të vrarëve nga sulmet e militantëve në Pakistan
Ka shkuar në më shumë se 60 numri i të vrarëve nga sulmet e militantëve separatistë ndaj autostradave, stacioneve policore dhe linjave të hekurudhave në provincën Balochistan të Pakistanit, thanë të hënën zyrtarët.
Sulmi më i gjerë nga kryengritësit etnikë në vitet e fundit formon një pjesë të përpjekjes së gjatë me dekada për ta ndarë provincën e pasur me burime, ku ka projekte të udhëhequra nga Kina, si një port strategjik dhe një minierë ari e bakri, raporton agjencia “Reuters”.
“Këto sulme janë plan i menduar mirë për të krijuar anarki në Pakistan” – tha në një deklaratë ministri i Punëve të Brendshme, Mohsin Naqvi, duke shtuar se forcat e sigurisë kishin vrarë 12 militantë gjatë operacioneve pas sulmeve të dielën dhe të hënën.
Ushtria e Pakistanit tha se 14 ushtarë dhe policë dhe 21 militantë u vranë në luftime pas sulmeve më të mëdha, në shënjestër të të cilave ishin vetura, autobusë e kamionë me mallra në një autostradë të rëndësishme.
Nuk qe menjëherë e qartë nëse këtu përfshiheshin 12 militantët e konfirmuar si të vrarë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Zyrtarët lokalë thanë se të paktën 23 pasagjerë u vranë në sulm, ndërsa 35 automjeteve iu vu flaka.
Trafiku hekurudhor me Quetta-n u pezullua pas shpërthimeve në një urë hekurudhe që e lidh kryeqytetin provincial me pjesën tjetër të Pakistanit, si dhe në një lidhje hekurudhore në Iranin fqinj, tha zyrtari i hekurudhave, Muhammad Kashif.
Policia tha se kishte gjetur gjashtë trupa ende të paidentifikuar afër vendit të sulmit në urën hekurudhore.
Grupi militant, Ushtria Çlirimtare Baluçe, e mori përgjegjësinë përmes një deklarate për gazetarë, në të cilën e morën përgjegjësinë edhe për shumë sulme të tjera, përfshirë në ndaj një baze të rëndësishme paraushtarake, edhe pse autoritetet pakistaneze ende nuk i kanë konfirmuar ato./Nacionale