Shkon në mbi 120 numri i të vdekurve nga super-tajfuni “Yagi” në Vietnam
Të paktën 127 persona kanë vdekur e 54 të tjerë janë zhdukur në pjesën veriore të Vietnamit, sipas zyrtarëve, përderisa super-tajfuni “Yagi”, që arriti në territor tokësor të shtunën, po vazhdon me shi të dendur, rrëshqitje dheu e vërshime.
Mijëra njerëz u panë të ngujuar në kulmet e shtëpive në disa provinca veriore, ndërsa të tjerë publikuan thirrje dëshpëruese për ndihmë në rrjete sociale të martën, raporton televizioni BBC.
Super-tajfuni “Yagi” – stuhia më e fuqishme në Vietnam në 30 vitet e fundit – ka shkaktuar dëme të mëdha në pjesën veriore të vendit, duke lënë 1,5 milion njerëz pa furnizim me energji elektrike.
Të hënën, në një video të incizuar nga kamera brenda një veture u pa çasti kur ura “Phong Chau” në provincën “Phu Tho” u shemb, duke hedhur disa automjete në lumë.
Edhe pse stuhia tashmë është dobësuar në kategori, autoritetet kanë paralajmëruar se “Yagi” do të shkaktojë më shumë pengesa gjatë lëvizjes drejt perëndimit.
Phan Thi Tuyet, 50 vjeç, që jeton afër lumit, i tha agjencisë së lajmeve AFP se ajo nuk kishte parë kurrë nivel kaq të lartë të ujit.
“Kam humbur gjithçka, të gjitha shkuan. U detyrova të vija në terren më të lartë për ta shpëtuar jetën tonë. Nuk mund të sillnim asgjë prej mobilieve me vete. Gjithçka është nën ujë tani” – tha ajo, duke i shtrënguar dy qentë e vet.
Stuhia, që u përcoll me erë që e ka arritur shpejtësinë prej gati 150 kilometrash në orë, ka dëmtuar ura, ka shembur kulme të ndërtesave, ka dëmtuar fabrika si dhe ka shkaktuar vërshime të gjera e rrëshqitje dheu.
Autoritetet tashmë kanë lëshuar paralajmërime për rrezik nga vërshimet dhe rrëshqitja e dheut për 401 komunitete në 18 provinca veriore.
Para se të arrinte në Vietnam, stuhia “Yagi” la 24 njerëz të vdekur në jug të Kinës dhe në Filipine.