Shkon në 66 numri i të vdekurve nga zjarri në hotel në Turqi, mysafirët kërcyen nga dritaret
Ka shkuar në 66 numri i të vdekurve nga zjarri që shpërtheu në një hotel në një qendër skijimi në malet Bolu të Turqisë të martën. Disa mysafirë në panic u detyruan të kërcenin nga dritaret në mes të natës.
Përpos të vdekurve, rreth 50 persona pësuan lëndime, tha ministri i Punëve të Brendshme, Ali Yerlikaya, në resortin e skijimit “Kartalkaya” në veriperëndim të Turqisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zjarri filloi rreth orës 3 e 30 minuta të mëngjesit në katin ku ndodhej restoranti në hotelin “Grand Kartal” me 12 kate, thanë autoritetet.
Disa kamionë të zjarrfikësve dhe autoambulanca e rrethuan ndërtesën e veshur me dru në pjesën ballore.
Baris Salgur, mysafir në hotel, i tha televizionit NTV se njerëzit kërcyen nga dritaret për të ikur nga zjarri, përfshirë dy gra që ndodheshin në katin më të lartë dhe të cilat kërkuan nga njerëzit në tokë që të bënin gati jastëkë. “Kur zjarri u afrua, ato kërcyen menjëherë” – tha mysafiri.