Shkon në 486 numri i të vrarëve nga sulmet izraelite në Liban, përfshirë 83 fëmijë
Nga sulmet izraelite në Liban janë vrarë 486 njerëz, përfshirë dhjetëra fëmijë, raportuan të hënën mediat shtetërore libaneze, duke e cituar Ministrinë e Shëndetësisë.
Agjencia e OKB-së për fëmijët, UNICEF, tha të hënën se një numër “tronditës” i fëmijëve janë vrarë nga sulmet izraelite në këtë vend – të paktën 83 – më shumë se 10 për secilën ditë – dhe 254 të tjerë janë plagosur nga 2 marsi, shkruan gazeta “The Guardian”.
Këta numra janë “testament i qartë për pasojat që konflikti po ua sjell fëmijëve”, tha kjo agjenci. Drejtori i UNICEF-it për Lindjen e Mesme, Edouard Beigbeder, më herët tha: “Përderisa sulmet ushtarake vazhdojnë në mbarë vendin, fëmijët po vriten dhe po lëndohen në një shkallë të tmerrshme, familjet po ikin nga shtëpitë e tyre në frikë dhe mijëra fëmijë tani janë duke fjetur në të ftohtë dhe në strehimore të stërngarkuara.”
Më shumë se 1.300 njerëz janë lënduar që nga fillimi i sulmeve izraelite më 2 mars, pasi Hezbollahu hodhi raketa drejt pjesës veriore të Izraelit si kundërpërgjigje ndaj sulmeve izraelite dhe vrasjes së liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei.
Të paktën 600.000 njerëz janë zhvendosur në vend që nga java e kaluar, kur u përshkallëzuan luftimet, duke nxitur frikë për një katastrofë humanitare në Liban.
Në një deklaratë të publikuar të hënën, presidenti Joseph Aoun shprehu kritika të ashpra dhe të drejtpërdrejta ndaj Hezbollahut për nxitjen e një ofensive të re izraelite me breshëri raketash javën e kaluar.
Ai u tha zyrtarëve të lartë evropianë përmes një telefonate të hënën se Libani është i ngujuar mes sulmit izraelit “që nuk shfaq respekt për ligjet e luftës” dhe “një grupi të armatosur që operon jashtë ligjit në Liban, që nuk i përfill interesat e Libanit dhe jetën e njerëzve”./Nacionale