Shkencëtari i OBSh-së thotë se sëmundja që po shkakton viktima në Bangladesh do të përhapet në Evropën Jugore këtë dekadë
Ethet e dengos do të bëhen kërcënim i madh në Evropën Jugore, në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara dhe në pjesë të reja të Afrikës gjatë kësaj dekade, sipas kryeshkencëtarit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përderisa temperaturat më të ngrohta po formojnë kushte që ky infeksion të përhapet nga mushkonjat që e bartin atë.
Kjo sëmundje ka qenë për një kohë të gjatë problem i konsiderueshëm në pjesë të gjera të Azisë dhe Amerikës Latine, duke shkaktuar rreth 20 mijë viktima në vit. Shkalla e të sëmurëve tashmë është rritur tetëfish në nivel global nga viti 2000, e nxitur kryesisht nga ndryshimet klimatike dhe shtimi i lëvizjes së njerëzve e urbanizimi, raporton agjencia “Reuters”.
Shumë raste nuk regjistrohen, por 4,2 milionë të prekur janë raportuar më 2022 në mbarë botën dhe zyrtarët e shëndetit publik kanë paralajmëruar se nivele afër rekordit të infeksioneve priten këtë vit. Bangladeshi tash për tash është duke u ballafaquar me përhapjen më të rëndë ndonjëherë, me mbi një mijë të vdekur.
“Ne duhet të flasim në mënyrë shumë më proaktive për dengon”- tha për agjencinë “Reuters” Jeremy Farrar, specialist britanik i sëmundjeve ngjitëse, që u bë pjesë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në maj të këtij viti.
“Duhet që vërtet t’i përgatisim shtetet për atë se si do ta trajtojnë ato presionin shtesë që do të vijë... në të ardhmen në shumë, shumë qytete të mëdha”- shtoi ai.
Shkencëtari Farrar më parë ka punuar për 18 vjet në Vietnam rreth sëmundjeve tropikale, përfshirë dengon. Ai më vonë e ka këshilluar Qeverinë e Britanisë rreth masave kundër pandemisë së koronavirusit para se të bëhej pjesë e OBSh-së.
Sipas tij, infeksioni tropiak ka gjasa që të bëhet endemik në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara, Evropës e Afrikës – rajone ku tashmë ka pasur përhapje të kufizuar lokale – përderisa ngrohja globale po bën zona të reja më të përshtatshme për mushkonjat që e përhapin infeksionin. Farrari paralajmëroi se kjo do t’u bëjë presion akut sistemeve spitalore në shumë shtete.
“Kujdesi klinik është vërtet intensiv, kërkon përpjesëtim të lartë të infermierëve ndaj pacientëve. Unë vërtet brengosem, kur kjo të bëhet problem i madh në Afrikën Subsahariane”- shtoi hulumtuesi britanik.
Shumica e personave të infektuar me dengo nuk kanë simptoma, që do të thotë se shkalla e rasteve mendohet se është shumë më e lartë se numrat e raportuar. Ata që kanë simptoma, mund të përjetojnë ethe, spazma muskulore dhe dhimbje në kyçe që janë aq të rënda, saqë njihen si “ethet e thyerjes së ashtit”. Në raste të rënda – më pak se 1 për qind – sëmundja mund të jetë fatale.
Nuk ka trajtim specifik kundër dengos, edhe pse ekziston një vaksinë për këtë sëmundje, e quajtur “Qdenga”, e rekomanduar nga OBSh-ja për fëmijët e moshave 6 deri 16-vjeçare në zonat ku infeksioni është problem i konsiderueshëm i shëndetit publik.
Vaksina “Qdenga” është e miratuar edhe nga rregullatori i Bashkimit Evropian, por prodhuesi i saj e tërhoqi aplikimin në ShBA më herët këtë vit, duke përmendur si arsye ca çështje rreth grumbullimit të të dhënave.
Dengoja përhapet nga mushkonjat e infektuara të llojit Aedes aegypti, të cilat sillen më ndryshe në krahasim me mushkonjat që e bartin malarien. Për shembull, ato i pickojnë njerëzit në hapësira të mbyllura dhe gjatë ditës, jo natën. Ato shumohen në ujëra shumë të cekëta.

