Numër rekord: Mbi 40 persona vdesin nga dengoja në Argjentinë - NACIONALE

Numër rekord: Mbi 40 persona vdesin nga dengoja në Argjentinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Argjentina është duke luftuar kundër përhapjes së dengos, e cila ka shkaktuar më shumë se 40 viktima, ndërsa mbi 60 mijë të tjerë janë infektuar, kryesisht në pjesën veriperëndimore të vendit.

Infeksioni përhapet nga mushkonjat Aedes aegypti dhe përhapja e fundit kishte ndodhur në vitin 2020, raporton televizioni BBC.

Biologët po trajtojnë me rrezatim mijëra mushkonja meshkuj në laboratorë dhe do t'i lëshojnë më vonë me shpresën se pasardhësit e tyre nuk do të mund ta përhapin virusin për shkak të dëmtimit të ADN-së.

"Kjo mushkonjë, për shkak të rritjes së temperaturës në vendin tonë dhe në botë... mund të përhapet më shumë. Popullsia e tyre po vazhdon që të lëvizë më tutje në veri"- tha biologia Marianela Garcia Alba.

Ajo shtoi se qëllimi është që mushkonjat e shpërfaqura ndaj rrezatimit të bëhen lloj mbizotërues për ta penguar përhapjen e infeksionit.

Numri më i madh i viktimave është regjistruar në provincat veriperëndimore të Argjentinës, Salta, Tucuman dhe Jujuy.

Në mesin e simptomave të dengos janë ethet, dhimbja e kokës dhe dhimbja në kyçe.

Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje njerëzve që t'i shtojnë masat kundër mushkonjave, përfshirë vendosjen e rrjetave në dyer dhe dritare, përdorimin e sprejit kundër mushkonjave dhe largimin e rezervuarëve të ujit që mund të shërbejnë si vend për shumimin e tyre.

Lajme të ngjashme