Shi i dendur e vërshime në Nju-Jork, shpallet gjendje e jashtëzakonshme - NACIONALE

Shi i dendur e vërshime në Nju-Jork, shpallet gjendje e jashtëzakonshme

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në qytetin e Nju-Jorkut dhe në New Jersey, pasi një stuhi e fuqishme e goditi bregdetin lindor të Shteteve të Bashkuara nga Nju-Jorku deri në Uashington. Në rajon ka reshje dhe vërshime të rrezikshme që po shpalosen.

Zyrtarë të qytetit të Nju-Jorkut paralajmëruan se shiu i dendur mund të shkaktojë vërshime në disa rrugë, pjesë të sistemit hekurudhor nëntokësor dhe bodrume. Ata u bënë thirrje njerëzve që jetojnë në bodrume që të vendosen në kate më të larta dhe lëshuan një udhëzim me të cilin banorëve të qytetit u kërkohej që t’i shmangin udhëtimet nga pasditja e së enjtes deri të premten pasdite, raporton gazeta “The Guardian”.

Një autostradë e rëndësishme në Queens u mbyll për qarkullim në të dyja drejtimet dhe të paktë dy vetura u kapluan nga uji në të, i tha televizionit CNN një zyrtar i autoriteteve të rendit. Sistemi hekurudhor në Long Island i pezulloi shërbimet në njërën nga linjat e tij më të ngarkuara gjatë orës së pikut.

Aeroportet në Nju-Jork, Uashington, Filadelfia dhe New Jersey raportuan vonesa dhe anulime të konsiderueshme të fluturimeve për shkaqe të lidhura me motin.

Guvernatorja e Nju-Jorkut, Kathy Hochul, tha se po e shpallte gjendjen e jashtëzakonshme në qytet dhe në distriktet përreth tij. “Shi i dendur dhe vërshime të mundshme priten që ta prekin udhëtimin e mbrëmjes. Punëdhënësit inkurajohen që t’i lirojnë punëtorët herët. Vazhdoni që t’i përcillni parashikuesit tuaj lokalë dhe qëndroni të sigurt” – shkroi ajo në rrjetin X.

Lajme të ngjashme