Shefi i “Telegram”-it do t’ua lërë pasurinë miliardëshe mbi 100 fëmijëve që i ka - NACIONALE

Shefi i “Telegram”-it do t’ua lërë pasurinë miliardëshe mbi 100 fëmijëve që i ka

1 vit më parë

nga NACIONALE

Themeluesi i aplikacionit të mesazheve “Telegram”, Pavel Durov, thotë se mbi 100 fëmijët e tij do ta ndajnë pasurinë e tij që vlerësohet se është rreth 13,9 miliardë dollarë.

“Ata të gjithë janë fëmijët e mi dhe të gjithë do t’i kenë të drejtat e njëjta! Nuk dua që ata ta copëtojnë njëri-tjetrin pas vdekjes sime” – i tha Durovi revistës politike franceze, “Le Point”, raporton televizioni BBC.

Durovi thotë se është “baba zyrtar” i gjashtë fëmijëve me tri partnere të ndryshme, por ka më shumë se 100 fëmijë të tjerë, pasi e ka dhuruar farën e tij në një klinikë fertiliteti.

Ai gjithashtu përsëri mohoi se ka bërë ndonjë shkelje në lidhje me akuzat serioze penale me të cilat ballafaqohet në Francë.

Tajkuni rus që e ka zgjedhur ekzilin i tha revistës franceze se fëmijët e tij nuk do të kenë qasje në pasurinë e trashëguar për 30 vjet.

“Dua që ata të jetojnë si njerëz normalë, ta ndërtojnë veten vetëm, të mësojnë që t’i besojnë vetes, të jenë në gjendje që të krijojnë, jo të jenë të varur nga një xhirollogari bankare” – tha ai.

40-vjeçari tha se ka shkruar një testament, sepse puna e tij “përfshin rreziqe – mbrojtja e lirive të sjellë shumë armiq, përfshirë brenda shteteve të fuqishme”.

Aplikacioni “Telegram”, i njohur për fokusin te privatësia dhe mesazhet e enkriptuara, ka më shumë se një milard përdorues aktivë në muaj./Nacionale

Lajme të ngjashme