Shefi i rebelëve Houthi i kërcënon luftanijet e ShBA-së me sulm në rast se shënjestrohet Jemeni
Udhëheqësi i lëvizjes Houthi, Abdel-Malek al-Houthi, tha të mërkurën se ky grup do të sulmojë luftanije të ShBA-së, nëse vihet në shënjestër nga Uashingtoni, i cili këtë javë formoi një forcë shumëkombëshe për t’iu kundërvënë sulmeve të rebelëve ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.
Rebelët Houthi, të cilët kontrollojnë territor të madh në Jemen pas disa viteve luftë, nga muaji i kaluar kanë hedhur dronë e raketa në drejtim të anijeve ndërkombëtare që po lundronin nëpër Detin e Kuq, sulme për të cilat thonë se janë kundërpërgjigje ndaj sulmit të Izraelit në Rripin e Gazës, raporton agjencia “Reuters”.
Përmes nismës së sigurisë që do të udhëhiqet nga ShBA-ja, ky shtet dhe dhjetë vende të tjera, kryesisht shtete të NATO-s, do të patrullojnë nëpër Detin e Kuq për të parandaluar dhe për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve të ardhshme të rebelëve Houthi që deri më tani kanë shkaktuar ndryshim të vijave të rëndësishme globale të lundrimit. Anijet po detyrohen që të lundrojnë përreth Afrikës – rrugë shumë më e gjatë se nëpër Detin e Kuq.
“Ne nuk do të rrimë kot, nëse amerikanët tentojnë që të eskalojnë më tej e të kryejnë marrëzi përmes shënjestrimit të vendit tonë ose nisjes së luftës kundër tij”- tha Al-Houthi.
“Çfarëdo shënjestrimi amerikan i vendit tonë do të shënjestrohet nga ne dhe ne do t’i bëjmë luftanijet, interesat e lundrimin amerikan caqe të operacioneve tona ushtarake, me dronë e raketa”- shtoi ai në një fjalim të transmetuar në televizion.
Kriza në Detin e Kuq është rritur nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit, konflikti më i ri në Lindje të Mesme që i kanë vënë ShBA-në dhe aleatët e saj përballë fuqisë rajonale, Iranit, dhe grupeve arabe që përkrahen nga ky vend.
Grupet e përkrahura nga Irani, përfshirë rebelët Houthi dhe Hezbollahun e Libanit, kanë hedhur raketa në drejtim të Izraelit që nga fillimi i konfliktit mes ushtrisë izraelite e Hamasit në tetor. Ndërkohë, rebelët Houthi i kanë shtuar sulmet e tyre në Detin e Kuq, duke kërcënuar se do t’i shënjestrojnë të gjitha anijet që janë nisur drejt Izraelit dhe duke i paralajmëruar kompanitë e lundrimit kundër bashkëpunimit me portet izraelite.