Shefi i NATO-s: Nuk do të lejojmë Rusinë të na shantazhojë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u bën thirrje vendeve anëtare të ofrojnë edhe më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën. Në emisionin Zona e Konfliktit në DW ai vlerëson gjithashtu se rreziku i përdorimit të armëve bërthamore është i ulët.
Jens Stoltenberg foli në Forumin e Politikës së Jashtme të Berlinit të Fondacionit Kerber. Këto janë kohë dramatike për Evropën, për NATO-n, për Gjermaninë. Lufta në Ukrainë po përshkallëzohet me sulmet ajrore ruse në qytetet e Ukrainës dhe rritjen e kërcënimeve bërthamore nga Moska.
Por Stoltenberg është i sigurt se "Putini nuk do të ketë sukses" në thyerjen e vullnetit të popullit ukrainas për të luftuar. Me ndihmën ushtarake perëndimore, shumë raketa dhe drone ruse janë kapur. Stoltenberg vlerëson veçanërisht sistemet e mbrojtjes ajrore të furnizuara nga Gjermania.
Kontributi gjerman
Falë mbështetjes nga jashtë, marshimi rus në Kiev u ndal, Rusia nuk arriti epërsinë e pritshme ajrore mbi Ukrainën dhe Ukraina ishte në gjendje të rimarrë disa zona në lindje dhe jug. Kreu i NATO-s paralajmëron gjithashtu aleatët se duhet të ngulmojnë. Shtetet anëtare duhet të "sigurojnë mbështetje sipas nevojës dhe për aq kohë sa nevojitet".
Kontributi ushtarak i Gjermanisë shpesh është kritikuar si i pamjaftueshëm. Para së gjithash, qeveria ukrainase dëshiron tanke luftarake gjermane Leopard 2, të cilat qeveria gjermane deri më tani ka refuzuar t'i dorëzojë.
Stoltenberg shmangu pyetjen nëse Gjermania duhet të dorëzojë tani tanke Leopard 2, por duke iu drejtuar NATO-s në tërësi, theksoi: "Të gjithë ne duhet të bëjmë më shumë tani". Dhe jo vetëm për të furnizuar më shumë, por edhe për të "stimuluar prodhimin për të rimbushur stoqet tona". Njeriu nuk duhet të injorojë aftësinë e tij për të mbrojtur.
"Lufta bërthamore është e pafitueshme"
Presidenti rus Putin ka kërcënuar vazhdimisht se do të përdorë armë bërthamore. Territoret ukrainase të aneksuara kohët e fundit pas një referendumi të rremë tani janë "nën mbrojtjen bërthamore ruse", tha Putin. Disa vëzhgues besojnë se një Putin ushtarakisht i pasuksesshëm mund të përdorë armë taktike bërthamore në Ukrainë.
Këtu Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s po përpiqet t'i qetësojë sadopak gjërat: po monitorojnë me kujdes të gjitha lëvizjet ushtarake dhe përgatitjet e mundshme. "Rreziku i përdorimit të armëve bërthamore kundër Ukrainës është i vogël. Por NATO është e përgatitur për të gjitha situatat e mundshme." Megjithatë, si masë paraprake, ai paralajmëron rusët për "pasoja të rënda" nëse përdorin armë bërthamore, duke shtuar: "Lufta bërthamore është e pafitueshme".
Për Stoltenberg, mesazhi për Putinin, Ukrainën dhe aleatët e NATO-s është veçanërisht i rëndësishëm: "Ne nuk do të lejojmë Rusinë të na frikësojë apo shantazhojë". Me kërcënime, Putini dëshiron vetëm të ndalojë mbështetjen për Ukrainën. "Nëse e bëjmë këtë, presidenti Putin do të fitojë në Ukrainë. Dhe nëse ai fiton, do të dërgonte një mesazh shumë të rrezikshëm për të gjithë liderët autoritarë se nëse përdorin forcën brutale dhe shkelin ligjin ndërkombëtar, ata do të arrijnë qëllimet e tyre."
Mësime për t'u marrë me Kinën
Stoltenberg gjithashtu nxjerr mësime nga lufta në Ukrainë për t'u marrë me një Kinë gjithnjë e më agresive. Duke iu referuar një pushtimi të mundshëm kinez të Tajvanit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha: "Nuk është kurrë e pranueshme që një vend të përpiqet të uzurpojë territorin e një vendi tjetër". Kina duhet "të paktën të dënojë" luftën kundër Ukrainës. /Nacionale/