ShBA ultimatum Arabisë Saudite mbi prodhimin e naftës, e kërcënon me ndalim të shitjes së armëve - NACIONALE

ShBA ultimatum Arabisë Saudite mbi prodhimin e naftës, e kërcënon me ndalim të shitjes së armëve

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Demokratët e Kongresit Amerikan, kanë lëshuar një ultimatum të ri për Arabinë Saudite, duke i dhënë mbretërisë disa javë kohë për të anuluar vendimin e OPEC+, për uljen e prodhimit të naftës, në të kundërtën vendi do të përballet me një ngrirje te mundshme njëvjeçare të shitjeve të armëve.

Ky kërcënim erdhi ndërsa Joe Biden përsëriti zotimin e tij për vepruar lidhur me vendimin e Riadit të marrën javën e kaluar, për të ulur prodhimin e naftës me 2 milion fuçi në ditë – vendim për të cilin demokratët thonë se do të ndihmonte “furnizimin e makinerisë së luftës së Putinit” dhe do të dëmtonte konsumatorët amerikanë.

Sipas the Guardian, këshilltari për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, ka njoftuar se presidenti amerikan ishte duke shikuar një ndalim të mundshëm të shitjes së armëve, si pjesë e një rivlerësimi më të gjerë të marrëdhënieve ShBA-Arabi Saudite.

Zemërimi me vendimin saudit ishte shumë i madh në Kapitol, ashtu siç ishte edhe dëshira për një ndëshkim të shpejtë dhe specifik për vendimin që po cilësohet si një gabim i madh nga një aleat kyç, siç është Lindja e Mesme.

Këto tensione me Uashingtonin dhe zotimi për “ribalancim” të marrëdhënieve midis dy vendeve, mund të kenë efekte edhe përtej çmimit të naftës, të tilla si përcaktimi i së ardhmes së një aleance të dukshme midis Rusisë dhe trashëgimtarit saudit, në negociatat mbi Iranin si dhe në fuqinë financiare të Moskës në sulmin e vazhdueshëm të saj në Ukrainë.

Ligjvënësit demokratë thanë se vendimi i Princit Mohammed, i cili është një tradhti e ashpër ndaj vendit pas dekadash mbështetjeje, ka forcuar Rusinë dhe përfundimisht do të dëmtojë të gjithë konsumatorët amerikanë.

“Ne ofrojmë kaq shumë jo vetëm në armë, por në mbrojtje, bashkëpunim dhe iniciativa të përbashkëta mbrojtëse për sauditët. Ata marrin pothuajse 73% të armëve të tyre nga Shtetet e Bashkuara”, është shprehur Ro Khanna, një kongresmen demokrat nga Kalifornia dhe kritik i gjatë i mbretërisë.

Ai shtoi se nëse nuk do të ishte për teknikët amerikanë, aeroplanët e tyre nuk do të fluturonin, duke cilësuar ShBA-në si përgjegjës për të gjithë forcën e tyre ajrore.

Ndërkohë, senatori demokrat Richard Blumenthal, foli për shqetësime më të mëdha të sigurisë.

“Ne po i shesim teknologji shumë të ndjeshme, teknologji të përparuar, një vendi që është rreshtuar me një kundërshtar – Rusinë – që po kryen krime terroriste të luftës në Ukrainë”, tha ai duke përmendur shitjet e sistemeve Patriot dhe antiraketë, raketat ajër-ajër, helikopterët e avancuar, avionët luftarakë, radarët e mbrojtjen ajrore.

Lajme të ngjashme