ShBA këmbëngul se ka hartuar vetë planin e paqes për Ukrainën, pas akuzave se dokumenti ishte një “listë dëshirash” ruse
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka insistuar se një plan prej 28 pikash për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë – i cili është parë gjerësisht si i favorshëm për Rusinë – ishte “hartuar nga ShBA”, shkruan BBC.
Kjo deklaratë erdhi pasi një grup senatorësh thanë se Rubio u kishte treguar atyre se drafti – të cilin një prej tyre e përshkroi si një “listë dëshirash” ruse – nuk pasqyronte pozicionin e Uashingtonit.
Më vonë Rubio u distancua nga këto pretendime dhe tha se plani vinte nga ShBA-ja dhe ishte “bazuar në kontributet” e të dyja palëve, Rusisë dhe Ukrainës.
Ndërhyrja e tij erdhi teksa ai fluturonte për në Gjenevë të Zvicrës për bisedime me zyrtarë të sigurisë ukrainas dhe evropianë mbi planin, të cilin presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar që Kievi ta pranojë sa më shpejt.
Aleatët evropianë të Ukrainës kanë kundërshtuar disa nga dispozitat kryesore në draft, i cili nuk është bërë publik, por detajet e tij janë publikuar gjerësisht nga rrjedhjet e informacionit.
Drafti përfshin pajtimin e Ukrainës për të tërhequr trupat nga zonat lindore që Rusia nuk ka arritur t’i marrë me forcë, si dhe për të kufizuar madhësinë e ushtrisë së saj.
Të shtunën, senatori republikan Mike Rounds tha se Rubio u kishte treguar ligjvënësve se draft-plani nuk ishte politikë zyrtare e SHBA-së.
Ai deklaroi në Forumin e Sigurisë në Halifax: “Ajo që [Rubio] na tha ishte se ky nuk ishte propozimi amerikan.”
Rounds tha se i ishte garantuar se plani i ishte paraqitur Steve Witkoff-it, i cili vepron si i dërguar diplomatik i Trump-it jashtë vendit, nga “dikush… që përfaqësonte Rusinë”. Senatori vazhdoi: “Nuk është rekomandimi ynë. Nuk është plani ynë i paqes.”
Pak më vonë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, tha se përshkrimi i Rounds për bisedën e tij me Rubio ishte “krejtësisht i pavërtetë”.
Ai shkroi në X: “Ashtu siç ka deklaruar vazhdimisht Sekretari Rubio dhe e gjithë administrata, ky plan është hartuar nga Shtetet e Bashkuara, me kontribute si nga rusët ashtu edhe nga ukrainasit.”