ShBA-ja thotë se talibanët e kanë vrarë organizatorin e shpërthimit në aeroportin e Kabulit - NACIONALE

ShBA-ja thotë se talibanët e kanë vrarë organizatorin e shpërthimit në aeroportin e Kabulit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se talibanët kanë vrarë një organizator të ISIS-it që mendohet se ishte prapa shpërthimit shkatërrues në aeroportin e Kabulit në vitin 2021.

Nga shpërthimi në gushtin e atij viti ishin vrarë 170 civilë dhe 13 ushtarë amerikanë, kur njerëzit po mundoheshin të largoheshin nga Afganistani pas marrjes së pushtetit nga talibanët, raporton televizioni BBC.

Figura e ISIS-it u vra para disa javëve, por u nevojit kohë për ta vërtetuar vdekjen e tij, thanë zyrtarët amerikanë, pa ia publikuar emrin.

Zyrtarët thanë se kanë përcaktuar përmes grumbullimit të të dhënave të inteligjencës dhe vëzhgimit të rajonit se udhëheqësi ka vdekur, edhe pse nuk dhanë hollësi të tjera për atë se si kanë marrë vesh që ai ishte përgjegjës për shpërthimin.

“Ekspertët në qeveri kanë besim t ëlartë se ky individ... ishte vërtet individi përgjegjës kyç”- tha një zyrtar i lartë amerikan.

Sipas një raportimi të gazetës “The New York Times”, ShBA-ja mori vesh për vdekjen e tij në fillim të prillit. Nuk është e qartë nëse ai ishte në shënjestrën e talibanëve ose nëse është vrarë gjatë luftimeve të vazhdueshme mes ISIS-it dhe talibanëve, raportoi gazeta e njohur amerikane.

Të hënën, Shtetet e Bashkuara filluan që t’i njoftonin familjet e ushtarëve të vrarë për vdekjen e këtij udhëheqësi të ISIS-it.

Shpërthimi në aeroportin e Kabulit ndodhi disa orë pas paralajmërimit të qeverive perëndimore për shtetasit e tyre që të qëndronin larg atij vendi për shkak të rrezikut për sulm nga IS-K, dega afgane e ISIS-it.

Sulmi ndodhi rreth orës 18 më 26 gusht 2021 në portën “Abbey Gate” të aeroportit, kur një sulmues vetëvrasës u fut në mesin e familjeve që ishin duke pritur.

Lajme të ngjashme