ShBA-ja thotë se ka vrarë një udhëheqës të lartë të ISIS-it në Siri - NACIONALE

ShBA-ja thotë se ka vrarë një udhëheqës të lartë të ISIS-it në Siri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Komanda Qendrore e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara tha të martën se përmes një operacioni ushtarak ka vrarë një udhëheqës të lartë të ISIS-it në Siri të hënën.

Khalid Aydd Ahmad al-Jabouri ishte përgjegjës për planifikimin e sulmeve të ISIS-it në Evropë dhe e kishte zhvilluar strukturën udhëheqëse të grupit, thuhet në një deklaratë të Komandës Qendrore.

Sipas ushtrisë amerikane, asnjë civil nuk është vrarë ose lënduar gjatë këtij operacioni dhe shtohet se grupi “vazhdon të paraqesë rrezik për rajonin dhe përtej tij”, raporton agjencia “Reuters”.

“Edhe pse i degraduar, grupi mbetet i aftë për të kryer operacione brenda rajonit me dëshirë për të sulmuar përtej Lindjes së Mesme”- thuhet në deklaratë. Ushtria amerikane tha se vdekja e al-Jabourit “do ta pengojë përkohësisht aftësinë e grupit për të komplotuar sulme të jashtme”.

Në fund të vitit të kaluar, ISIS-i njoftoi se e kishte emëruar Abu al-Hussein al-Husseini al-Quraishi-n udhëheqës, pasi udhëheqësi i mëparshëm ishte vrarë në Siri.

Sipas një raporti të OKB-së, ISIS-i dhe bashkëpunëtorët e tij paraqisnin rrezik të lartë ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare në pjesën e dytë të vitit 2022 dhe se rreziku ishte shtuar në dhe përreth zonave të konfliktit ku ka prani ky grup.

Lajme të ngjashme