ShBA-ja thotë se anijet iraniane ia drejtuan laserin një helikopteri amerikan mbi Gjirin Persik - NACIONALE

ShBA-ja thotë se anijet iraniane ia drejtuan laserin një helikopteri amerikan mbi Gjirin Persik

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat Detare të Shteteve të Bashkuara kanë thënë se disa anije iraniane i drejtuan laser një helikopteri sulmues amerikan mbi Gjirin Persik të mërkurën, duke e cilësuar këtë veprim si “sjellje të pasigurt dhe joprofesionale”.

Anijet e Forcave Detare të Rojës Revolucionare të Iranit i drejtuan laserin një helikopteri të tipit “AH-1Z Viper” të forcave amerikane “shumë herë” të mërkurën në mbrëmje sipas kohës lokale, thuhet në një deklaratë të Komandës Qendrore të Forcave Detare të ShBA-së, raporton televizioni CNN.

Në njoftim thuhet se ekuipazhi i helikopterit nuk është lënduar. Laserët mund t’i çorientojnë dhe t’i verbojnë pilotët e helikopterëve ose aeroplanëve, duke e rritur rrezikun për fluturim të pasigurt.

“Këto nuk janë veprime të një force detare profesionale. Kjo sjellje e pasigurt, joprofesionale dhe e papërgjegjshme nga Forcat Detare të Rojës Revolucionare të Iranit e rrezikon jetën e shtetasve amerikanë dhe të partnerëve dhe duhet të ndërpritet menjëherë”- tha zëdhënësi i forcave amerikane, Rick Chernitzer.

Helikopteri sulmues ishte duke operuar nga anija “USS Bataan” si pjesë e një dislokimi të planifikuar në Lindje të Mesme.

Në mes të korrikut, Shtetet e bashkuara filluan që të dislokonin forca detare në Lindje të Mesme si kundërpërgjigje ndaj shtimit të agresionit nga anijet e forcave detare iraniane në Gjirin Persik dhe në ujërat përreth tij.

Lajme të ngjashme