ShBA-ja paralajmëron kërkesë të rëndë për Izraelin para vizitës së Bidenit - NACIONALE

ShBA-ja paralajmëron kërkesë të rëndë për Izraelin para vizitës së Bidenit

4 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Shtëpia e Bardhë dëshiron të hapë një konsullatë për palestinezët në Jerusalemin Lindor, tha të mërkurën këshilltari për siguri kombëtare i ShBA-së, Jake Sullivan, kur presidenti amerikan është nisur për në Izrael.

“Pozicioni ynë është që ne do të donim një konsullatë në Jerusalemin Lindor. Qartazi, kjo kërkon angazhim me qeverinë izraelite. Kërkon angazhim edhe me udhëheqësinë palestineze, gjithashtu, dhe ne do ta vazhdojmë këtë angazhim në këtë udhëtim”, u tha Sullivan gazetarëve gjatë fluturimit me aeroplanin “Air Force 1”.

Zyrtari i lartë amerikan tha, gjithashtu, se sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka biseduar me familjen e gazetares së vrarë të televizionit “Al Jazeera”, Shireen Abu Akleh. “Ai e ka ftuar familjen në Shtetet e Bashkuara për t’u ulur dhe për t’u angazhuar me të drejtpërdrejt”, tha Sullivan, sipas agjencisë "Reuters".

Çfarë kishte ndodhur me konsullatën amerikane?

Që nga viti 1967, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar shërbime përmes konsullatës për palestinezët në Jerusalemin Lindor, Bregun Perëndimor e Gaza. Sidoqoftë, më 2019, presidenti i atëhershëm, Donald Trump, vendosi që ta mbyllte konsullatën.

Më 2018, administrata e Trump-it kishte njoftuar për planin që ta mbyllte konsullatën e përgjithshme të ShBA-së në Jerusalem, duke thënë se shërbimet do t’i bëjë të qasshme përmes ambasadës amerikane, që u zhvendos nga Tel Avivi në Jerusalem atë vit.

Ky veprim i kishte zemëruar palestinezët. Bideni ishte zotuar se do ta rihapte konsullatën e caktuar posaçërisht për çështje palestineze në Jerusalem.

“Si presidenti, Bideni do të bëjë hapa të menjëhershëm për kthimin e asistencës ekonomike dhe humanitare për popullin palestinez, në përputhje me ligjin amerikan, përfshirë asistencën për refugjatët, punën për ta adresuar krizën e vazhdueshme humanitare në Gaza dhe rihapjen e konsullatës amerikane në Jerusalemin Lindor”, thuhej në platformën e Bidenit për komunitetet amerikano-arabe gjatë fushatës.

Cili ishte qëndrimi i Izraelit?

Izraeli e ka kundërshtuar fuqishëm rihapjen e konsullatës. Ish-kryeministri, Naftali Bennett, kishte deklaruar në kuvendin izraelit se qeveria e tij synon që “ta largojë çështjen nga tavolina”.

“Qeveria nën udhëheqjen time vazhdimisht e ka qartësuar pozicionin e saj se nuk ka vend për një konsullatë palestineze në Jerusalem. Jerusalemi është kryeqytet i një shteti, shtetit të Izraelit. Pikë”, kishte thënë Bennett.

Ish-ambasadori i Izraelit në ShBA, Michael Oren, e kishte mirëpritur vendimin për mbylljen e konsullatës amerikane në Jerusalem. “Një ditë e madhe për Izraelin, Jerusalemin dhe Shtetet e Bashkuara”, kishte shkruar ai në rrjete sociale.

Lajme të ngjashme