ShBA-ja i quan “nisje premtuese” bisedimet për paqe në Gaza, vazhdojnë të premten - NACIONALE

ShBA-ja i quan “nisje premtuese” bisedimet për paqe në Gaza, vazhdojnë të premten

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, i quajti “fillim premtues” bisedimet e së enjtes për armëpushim në Gaza dhe tha se negociatorët pritet t’i vazhdojnë ato edhe të premten.

Sipas tij, shumë punë mbetet për t’u bërë, duke e marrë parasysh ndërlikueshmërinë e marrëveshjes dhe se negociatorët ishin të përqendruar te zbatimi i saj, duke shtuar se ndërmjetësuesit kishin arritur që “t’i ngushtonin disa dallime” para takimit që u zhvillua në Doha të Katarit. Kirby e përshkroi këtë takim si hap të rëndësishëm drejt arritjes së një pakti, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Zyrtarët e Hamasit nuk u bënë pjesë e bisedimeve të së enjtes, duke e akuzuar Izraelin se kishte paraqitur kërkesa të reja në një propozim të mëparshëm që e kishte mbështetjen e ShBA-së dhe të komunitetit ndërkombëtar dhe me të cilin grupi palestinez ishte pajtuar në parim.

Sidoqoftë, ndërmjetësuesit planifikonin që të konsultoheshin me ekipin negociues të Hamasit me bazë në Doha, sipas një zyrtari të njoftuar rreth bisedimeve. Hamasi u tha ndërmjetësuesve të mërkurën se do të përfshihej në proces, nëse Izraeli bën një propozim “serioz” që është në vijë me kërkesat e mëparshme të grupit.

Drejtori i CIA-s, Bill Burns, dhe emisari i ShBA-së për Lindje të Mesme, Brett McGurk, e përfaqësuan Uashingtonin në bisedimet e organizuara nga kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani. I pranishëm në Doha ishte edhe shefi i inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel.

Kirby e minimizoi mungesën e përfaqësuesve të Hamasit në bisedime, duke theksuar se negociatat kanë qenë të tërthorta deri më tani në çfarëdo rasti.

Zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abdu Zuhri, i tha agjencisë “Reuters” të enjten se ky grup ishte i përkushtuar ndaj procesit negociues dhe u bëri thirrje ndërmjetësve që ta siguronin zotimin e Izraelit për një propozim që Hamasi e kishte paraqitur në fillim të korrikut./Nacionale

Lajme të ngjashme