ShBA-ja hap sot një bazë të re raketash në Poloni - NACIONALE

ShBA-ja hap sot një bazë të re raketash në Poloni

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Shtetet e Bashkuara do të hapin zyrtarisht të mërkurën një bazë të re të mbrojtjes ajrore në pjesën veriore të Polonisë, përderisa Varshava po synon që t’i sigurojë polakët se NATO-ja e garanton sigurinë e tyre në kohën e shqetësimit pas fitores së republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të ShBA-së.

E ndodhur në qytezën Redzikowo, afër bregdetit të Baltikut, baza ka qenë duke u përgatitur që nga vitet e para të këtij shekulli dhe Varshava thotë se ajo e simbolizon faktin që aleanca e saj ushtarake me Uashingtonin mbetet e fortë, pavarësisht se kush e udhëheq Shtëpinë e Bardhë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Mori ca kohë, por ky ndërtim e dëshmon vendosmërinë gjeostrategjike të Shteteve të Bashkuara” – shkroi të martën në rrjetin X ministri i Punëve të Jashtme i Polonisë, Radoslaw Sikorski.

“Aleanca polako-amerikane është e fortë, pavarësisht se kush qeveris në Varshavë dhe Uashington” – shtoi ai.

Presidenti polak, Andrzej Duda, konservator që i ka theksuar lidhjet e tij të mira me Trumpin, pritet të marrë pjesë në ceremoninë hapëse të bazës së re amerikane. Të hënën, ai tha para gazetarëve se Trumpi e kishte telefonuar dhe ia kishte uruar Ditën e Pavarësisë së Polonisë.

Kritikat e Trumpit në të kaluarën kanë shqetësuar disa shtete të NATO-s, pasi ai është zotuar se nën udhëheqjen e tij, Shtetet e Bashkuara nuk do të mbrojnë shtete që nuk shpenzojnë mjaftueshëm në fushën e mbrojtjes.

Megjithatë, Polonia thotë se fakti që ky shtet është shpenzuesi më i madh i aleancës në fushën e mbrojtjes në krahasim me ekonominë që e ka, nënkupton që nuk ka arsye për t’u frikësuar.

Mburoja raketore

E emërtuar “Aegis Ashore”, baza amerikane në Redzikowo është pjesë e një mburoje më të gjerë raketore të NATO-s, për të cilën aleanca thotë se është në gjendje që të pengojë raketa balistike me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi.

Në mesin e elementeve të tjera kyçe të mburojës janë një seli tjetër e bazës “Aegis Ashore” Rumani, si dhe shkatërruesit detarë amerikanë me bazë në portin spanjoll, Rota, dhe një radar për paralajmërim të hershëm në qytezën turke, Kurecik.

Zyrtarë rusë dhe bjellorusë thanë se po e shikonin me kujdes bazën e NATO-s dhe se do ta bënin atë faktor në planifikimet e tyre ushtarake.

Moska tashmë e ka cilësuar atë si kërcënim ndaj Rusisë që në vitin 2007, kur baza ishte ende në fazën e planifikimit. NATO-ja thotë se baza është tërësisht mbrojtëse.

Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, tha të hënën se fushëveprimi i mburojës duhet të zgjerohet dhe se Varshava do ta diskutojë këtë me NATO-n dhe me Shtetet e Bashkuara.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të takohet me presidentin Duda dhe me kryeministrin Donald Tusk në Varshavë më vonë të mërkurën./Nacionale

Lajme të ngjashme