ShBA-ja, Britania dhe BE-ja do ta nënshkruajnë traktatin e parë ndërkombëtar për inteligjencë artificiale
Traktati i parë ndërkombëtar ligjërisht i detyrueshëm do të jetë i hapur për nënshkrim të enjten nga vendet që e kanë negociuar atë, përfshirë vendet anëtare të BE-së, Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, tha Këshilli i Evropës, organizatë për të drejtat e njeriut.
Konventa e Inteligjencës Artificiale, në të cilën është punuar me vite dhe e cila u miratua në maj pas diskutimeve mes 57 shteteve, i adreson rreziqet që mund t’i paraqesë inteligjenca artificiale, por edhe e promovon inovacionin e përgjegjshëm, raporton agjencia “Reuters”.
“Kjo konventë është hap i madh drejt garancisë që këto teknologji të reja mund të shfrytëzohen pa i gërryer vlerat tona më të vjetra, si të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit” – tha ministrja e Drejtësisë e Britanisë, Shabana Mahmood, në një deklaratë.
Konventa e Inteligjencës Artificiale kryesisht përqendrohet në mbrojtjen e të drejtave të njerëzve të prekur nga sistemet e inteligjencës artificiale dhe është e ndarë nga Akti i BE-së për Inteligjencën Artificiale, që hyri në fuqi muajin e kaluar.
Akti i BE-së për Inteligjencën Artificiale përfshin rregullore gjithëpërfshirëse për zhvillimin, dislokimin dhe përdorimin e sistemeve të inteligjencës artificiale brenda tregut të brendshëm të Bashkimit Evropian.
Këshilli i Evropës, i themeluar më 1949, është organizatë ndërkombëtare e ndarë nga BE-ja me mandat për t’i mbrojtur të drejtat e njeriut. 47 shtete janë anëtare, përfshirë 27 vendet e Bashkimit Evropian./Nacionale