ShBA gati për dërgimin e sistemit të mbrojtjes raketore Patriot në Ukrainë
Sipas dy zyrtarëve amerikanë dhe një zyrtari të lartë të administratës, administrata Biden po finalizon planet për dërgimin e sistemit të mbrojtjes raketore Patriot në Ukrainë, që mund të shpallet brenda kësaj jave.
Ndërsa ky plan, përpara se t’i dërgohet presidentit Biden për nënshkrim, duhet të miratohet nga sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, zyrtarët kanë thënë për CNN se pritet miratimi i tij.
Kujtojmë se Ukraina i ka bërë vazhdimisht thirrje ShBA-së për sistemin e avancuar me rreze të gjatë, pasi ai është shumë efektiv në kapjen e raketave balistike dhe të lundrimit.
Ende nuk është bërë e qartë se sa lëshues raketash do të dërgohen, por dihet se në një bateri tipike Patriot përfshihet një grup radari që zbulon dhe gjurmon objektivat, kompjuterët, pajisjet gjeneruese të energjisë, një stacion kontrolli angazhimi dhe ka deri në tetë lëshues, secili me katër raketa gati për të gjuajtur.
Zyrtarët kanë njoftuar se pas finalizimit të planit, sistemet Patriot do të dërgohen në Ukrainë dhe ukrainasit do të trajnohen për përdorimin e tyre në një bazë të ushtrisë amerikane në Grafenwoehr, Gjermani.
Ukraina e ka kërkuar sistemin për muaj të tërë, por sfidat logjistike për dhënien e tij dhe funksionimin e tij janë të mëdha. Megjithatë, një nga zyrtarët ka thënë për CNN se, “pavarësisht këtyre pengesave, realiteti i asaj që po ndodh në terren e shtyu administratën të merrte vendimin”.
Ndryshe nga sistemet më të vogla të mbrojtjes ajrore, bateritë e raketave Patriot kanë nevojë për ekuipazhe shumë më të mëdha, duke kërkuar dhjetëra personel për t'i operuar siç duhet. Trajnimi për bateritë e raketave Patriot zakonisht zgjat disa muaj, një proces që Shtetet e Bashkuara do ta kryejnë tani nën presionin e sulmeve ajrore pothuajse ditore nga Rusia.
Sistemi konsiderohet gjerësisht si një nga armët më të afta me rreze të gjatë për të mbrojtur hapësirën ajrore kundër raketave balistike dhe të lundrimit, si dhe nga disa avionë. Për shkak të aftësisë së tij me rreze të gjatë dhe lartësi të madhe, ai potencialisht mund të rrëzojë raketat dhe avionët rusë larg objektivave të tyre të synuar brenda Ukrainës.
Më parë, ShBA u ka dërguar sisteme Patriot aleatëve të NATO-s si Polonisë, si një mënyrë për të forcuar mbrojtjen e tyre dhe ka dërguar sisteme të tjera armësh në Ukrainë për të ndihmuar kundër pushtimit rus.
Në vitet e fundit, ShBA ka dërguar raketa Patriot edhe në Arabinë Saudite dhe Irak për të kundërshtuar kërcënimet e paraqitura nga Irani dhe përfaqësuesit e tij dhe në rajonin e Paqësorit për të penguar Korenë e Veriut.
Sitemin e kanë blerë edhe shumë aleatë të ShBA-së, përfshirë Gjermaninë, Japoninë dhe Izraelin.

