Senati i ShBA-së e bllokon projektligjin rreth kufirit dhe ndihmave miliardëshe për Ukrainën e Izraelin - NACIONALE

Senati i ShBA-së e bllokon projektligjin rreth kufirit dhe ndihmave miliardëshe për Ukrainën e Izraelin

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Senati i Shteteve të Bashkuara të mërkurën bllokoi një projektligj dypartiak për kufirin dhe sigurinë kombëtare. Demokratët i akuzuan republikanët se po përkulen para dëshirave politike të ish-presidentit Donald Trump e në dëm të zgjedhësve të tyre.

Kundër këtij projektligji votuan 50 senatorë, ndërsa 49 e përkrahën atë, përfshirë katër anëtarë të Partisë Republikane në opozitë. Për nisjen e debatit rreth këtij projektligji nevojiteshin 60 vota, raporton gazeta “The Guardian”.

Shumica e republikanëve e kundërshtuan çuarjen përpara të projektligjit, pasi u ankuan se legjislacioni nuk shkonte mjaftueshëm larg rreth adresimit të nevojave në kufirin ShBA – Meksikë, ku numri i të arrestuarve për kalim të paligjshëm ka shkuar në nivel rekord.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, fillimisht e përkrahu hedhjen e projektligjit në debat, por pastaj e ndryshoi votën – manovrim procedural që do t’i mundësojë këtij institucioni që ta rishqyrtojë propozimin në të ardhmen.

Pas “vdekjes” së mundësisë për marrëveshjen rreth sigurisë kufitare, Senati u përpoq që të çonte përpara një pako të ndarë për ndihma të jashtme, me të cilën do të lejohej vetëm financimi i aleatëve të ShBA-së të përvijuar në projektligjin dypartiak. Dukej se kishte huti në mesin e ligjvënësve se sa përkrahje përfshihet në këtë pako, duke i detyruar senatorët që ta mbanin të hapur votimin fillestar për këtë propozim për katër orë, përderisa debatonin për rrugën më të mirë që duhet zgjedhur.

Kur votimi u mbyll përfundimisht të mërkurën në mbrëmje, 58 nga 100 senatorët e regjistruar e përkrahën avancimin e projektligjit. Megjithatë, për këtë hap nevojiteshin 60 vota, prandaj mungoi përkrahja e nevojshme në Senat. Duke dalë në foltoren e Senatit të mërkurën në mbrëmje, Schumer-i e njoftoi institucionin se senatorët do të mblidhen përsëri të enjten për ta votuar projektligjin.

Megjithatë, mbeti thellësisht e paqartë nëse një pako për ndihma të jashtme, pa masa rreth kufirit, do të mund të miratohej në Senat, organ që kishte shqyrtuar një propozim të ngjashëm edhe në dhjetor. Republikanët, të cilët këmbëngulën se në legjislacion duhet të adresohet edhe çështja e kufirit, më parë e kishin bllokuar avancimin e pakos.

Projektligji me vlerë të 118 miliardë dollarëve do t’i jepte presidentit një kompetencë të re për ta mbyllur kufirin, kur kalimet ditore do të kalonin një shifër të caktuar, si dhe do të përshpejtohej procesi i shqyrtimit të kërkesave për azil, që do të çonte te dëbimi më i shpejtë i shumë emigrantëve.

Me këtë projektligj do të ofroheshin edhe 60 miliardë dollarë në formën e asistencën ushtarake për Ukrainën, 14 miliardë dollarë asistencë e sigurisë për Izraelin dhe 10 miliardë dollarë asistencë humanitare për civilët e prekur nga luftërat në Ukrainë, Gaza e Bregun Perëndimor.

Lajme të ngjashme