Së paku dhjetë të vrarë nga sulmi ajror izraelit afër një shkolle në Gaza
Një sulm ajror izraelit të hënën la të vrarë të paktën dhjetë njerëz dhe disa të tjerë mbetën të lënduar afër një shkolle ku po strehohen palestinezë të zhvendosur, thanë zyrtarët shëndetësorë, në rastin më të rë të dhunës që po e lë në hije armëpushimin e brishtë në Gaza.
Para sulmeve, disa palestinezë ishin përleshur me pjesëtarë të një grupi militant të përkrahur nga Izraeli, për të cilët ata thanë se e sulmuan shkollën në përpjekje për të rrëmbyer disa njerëz, sipas mjekëve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në mes të përleshjeve, në lindje të kampit të refugjatëve “Maghazi”, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, dronët izraelitë hodhën dy raketa në zonë, duke vrarë të paktën 10 njerëz dhe duke plagosur disa të tjerë, shtuan ata.
Nuk qe menjëherë e qartë se sa civilë u vranë nga këto sulme, të cilat u kryen në një lagje të dendur që banohet kryesisht nga palestinezë të zhvendosur.
Ahmed al-Maghazi, dëshmitar, tha se zona e tyre u sulmua nga pjesëtarë të një grupi militant që mbështetet nga Izraeli dhe që operon në territorin ngjitur me pjesën e kontrolluar nga forcat izraelite, para se grupi militant të hapte zjarr.
“Banorët u përpoqën që t’i mbronin shtëpitë e tyre, por forcat pushtuese i shënjestruan ata drejtpërdrejt” – i tha ai agjencisë “Reuters”.
Më vonë të hënën, një udhëheqës i njërit prej grupeve militante të përkrahura nga Izraeli tha në një video se ata vranë pesë pjesëtarë të Hamasit. Agjencia “Reuters” nuk mundi që ta vërtetonte menjëherë autenticitetin e videos.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga Hamasi, i cili i cilëson “kolaboracionistë izraelitë” grupet që operojnë në zonat që janë nën kontrollin e forcave izraelite.
Më herët të hënën, nga një sulm ajror izraelit u vra një palestinez dhe u plagos një fëmijë, kur ata po udhëtonin me një motoçikletë në qytetin Gaza, thanë mjekët.
Mjekët thanë se forcat izraelite vranë edhe një palestinez tjetër, kur hapën zjarr në drejtim të një automjeti në pjesën qendrore të Gazës, duke e çuar në të paktën 12 numrin e të vrarëve të hënën.
Ushtria izraelite nuk pati koment të menjëhershëm për ndonjërin nga tri incidentet e kësaj dite.
Hamasi dhe Izraeli e kanë fajësuar njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit të shpallur në tetorin e vitit të kaluar.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se nga zjarri izraelit janë vrarë të paktën 700 njerëz që nga fillimi i armëpushimit. Izraeli thotë se katër ushtarë i janë vrarë nga militantët në Gaza gjatë periudhës së njëjtë./Nacionale